Anulohet konkursi për pozitën e drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës

Në bazë të një vendimi të lëshuar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të datës 17 qershor 2022, bëhet e ditur se është anuluar konkursi për Drejtor të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës.

“Konkursi për Drejtor të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës, i shpallur me 07 tetor 2021, është anuluar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në bazë të rekomandimeve të Komisionit për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve për këtë pozitë”, thuhet në vendim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit, procesi i përzgjedhjes  ishte zhvilluar me shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve të cilët i kanë plotësuar kriteret formale. Mirëpo, pas fazës intervistuese, Komisioni për shqyrtimin e aplikacioneve dhe intervistimin e kandidatëve ka rekomanduar të anulohet konkursi pasi që asnjë nga kandidatët nuk kanë arritur të kalojnë pragun vlerësues të kërkuar për këtë pozitë.

Ndryshe, në bazë të një njoftimi të publikuar në web-faqën e MFPT të datës 20 prill 2022, lista e ngushtë e kandidatëve që kishin plotësuar  kriteret për të vazhduar procedurën e mëtejmë të rekrutimit për pozitën Drejtor i Njësisë së Inteligjencës Financiare janë: Fetah Zejnullahu, Behar Xhema, Edi-Daci Prapashtica, Blerim Rudi, Mentor Ferizi, Adriana Bakija, Safija Beseni, Luan Hoti dhe Bujar Sadiku./BetimipërDrejtësi