Anulohet konkursi për dhënien në shfrytëzim të kiosqeve në Prishtinë

​Pas akuzave e kundër akuzave se vendimi për hapjen e Konkursit ka qenë për interesa personale, Kuvendi Komunal i Prishtinës me 28 vota për dhe 11 kundër ka anuluar Konkursin për dhënien në shfrytëzim të qosheve (kiosqeve).

Përfaqësuesit dhe pronarët e kiosqeve që para fillimit të seancës kanë protestuar para Komunës.

Me fillimin e seancës edhe ata u futën në Kuvend. Pas një diskutimi mbi një orë ky vendim u shfuqizua.

Akuza në drejtim të drejtorit të planifikimit strategjikë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota, ka hedhur, Egzon Azemi, asamblist nga radhët e Vetëvendosjes.

Sipas Azemit, Genc Bashota, me këshilltarin e kryeministrit në detyrë, Gazmend Abrashi, pronar ky i një grupi të marketeve, janë ortak të një biznesi të duhanit arsye që ia kanë mësyrë kiosqeve pasi në to shitet duhani. Tutje Azemi tha se Gazmend Abrashi ka detyruar Kryeministrin në detyrë ku shërben si këshilltar, ta ndryshojë ligjin për akcizën dhe subvencione karshi duhanit me të vetmin qëllim që të përfitojë biznesi i tij.
Duke mos i’u përgjigjur akuzave të Azemit, Genc Bashota, tha se shfuqizimi i këtij vendimi është në rregull, po tha se nuk e di se cila ëhstë rruga pas kësaj.

Shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së, Agim Gashi tha se vet kanë deklaruar që do t’i përkrahin këta qytetarë.
Ai kërkoi nga Azemi të mos e keqpërdorë dhe të marrë poenë politik në emër të qytetarëve. Leotrim Retkoceri nga radhët e PDK-së tha se publikimi i këtij konkursi tregon se po bëhet politikë dhe pazar me këtë temë.

Pas një debatit mbi një orësh Kuvendi Komunal i Prishtinës votoi shfuqizimin e këtij vendimi me 28 vota për dhe 11 kundër.

Përfaqësuesi i bizneseve të vogla, Sabedin Hasani tha se asambleja komunale e ka parë të arsyeshme për ta rrëzuar këtë ligj. Gjithë kjo që u diskutua ka të bëjë me Ligjin NR. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluejtshme të Komunës.

loading…