Anulohet konkursi nga Ministria e Kulturës, Teatri Kombëtar mbetet pa drejtor

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka anuluar konkursin për drejtor të përgjithshëm të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Sipas njoftimit të MKRS-së, vendimi për anulim të konkursit është marrë pas vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik.

“Bazuar në vendimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik, Nr. 01/2021 të datës 11.05.2021, me Nr. Protokolli 1464/2021, të datës 11.05.2021, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, bën njoftimin për anulimin e konkursit të shpallur më datë 26.11.2020, për pozitën drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të premten para mesnatës kumtoi shkarkimin e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe emërimin e të riut. Deri kur u bë publik lajmi në media, asgjë për këtë nuk dinin anëtarët e deriatëhershëm të këtij këshilli, përfshirë kryetarin Agron Shala. Sipas Shalës, vendimi erdhi si pasojë e shumë informatave të rreme që ministri Hajrulla Çeku i kishte marrë paraprakisht. Duke shpjeguar rreth kësaj, Shala ka përmendur dy takime që i kishte pasur me Çekun dhe kërkesën për ta anuluar një konkurs. Mosveprimi i Këshillit Drejtues të Teatrit sipas kësaj kërkese – tregon Shala – bëri që ai si kryetar dhe anëtarët e tjerë të shkarkoheshin para mesnatës.

Në institucionin më të lartë teatror në vend, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku s’e la asnjërin nga anëtarët e përbërjes paraprake të Këshillit, mandati i të cilëve zgjati vetëm pak muaj.

Anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të TKK-së janë Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi.

Regjisorja Shkurte Aliu, e cila nga nata e së premtes u bë anëtare e Këshillit Drejtues të Teatrit, është edhe anëtare e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje. Aliu kishte garuar për deputete në zgjedhjet e vitit 2017, duke mos arritur t’i merrte votat e mjaftueshme për ta fituar një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Ministri Çeku gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 14 shkurtit, thoshte se do t’i departizonte institucionet kulturore.