Prishtinë

Anulohet gjykimi ndaj Glauk Konjufcës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, edhe të mërkurën po vazhdon respektimi i vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), që puna e gjykatës të bëhet vetëm me shërbime esenciale, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ndryshe, në mesin e seancave që janë anuluar sot është edhe shqyrtimi gjyqësor në rastin ku kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, akuzohet për hedhje të gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar më 2016 në Kuvend.

Po ashtu, për sot ishte e paraparë të vazhdohej shqyrtimi gjyqësor në rastin ku ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarët e tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini. po akuzohen për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.

Në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 24 nëntor, është miratuar lista me shërbimet esenciale me të cilat do të punojnë tani e tutje gjykatat, deri në një vendim të radhës të Këshillit.

Ndryshe, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në një konferencë për medie më 23 nëntor, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Zogaj tha se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.

Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), mori vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.

Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.

Vendimi i KGJK-së dhe KPK-së erdhi pas vendimit të Qeverisë, me të cilin gjykatësve dhe prokurorëve iu ulen pagat.

Ndryshe, në mbledhjen e Qeverisë, më 23 nëntor 2022, Kryeministri Albin Kurti mori vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj.

“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.

Pas miratimit të Projektligjit për Pagat, Kryeministri Kurti, tha se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.

“Propozimi i sotëm i kushton rëndësi të madhe kualifikimeve. Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi u pagës më të ulët në administratën tonë”, ka thënë Kurti.

Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, ka reaguar edhe shoqëria civile, duke e quajtur uljen e pagave në sistemin e drejtësisë, ndërhyrje në drejtësi dhe rritje të potencialit korruptiv.

Shoqëria civile ka kërkuar nga Qeveria që urgjentisht ta anulojnë vendimin e sotëm për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /BetimipërDrejtësi