Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti sot në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Nga ministria bëjnë të ditur se Quni shprehu besimin e plotë se bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Turqisë do të intensifikohen edhe më tej në funksion të arritjes së objektivit për arritjen e aftësive dhe kapaciteteve të plota të FSK-së.

Kjo me qëllim që të mundësohet kështu ofrimi i kontributit të Kosovës për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global, në operacione paqeruajtëse krahas vendeve partnere në mesin e të cilave është edhe Turqia.

Gjithashtu u bë e ditur se Sakar premtoi se Turqia, si një vend mik dhe aleat i fuqishëm i Kosovës, sikur deri më tash do të vazhdojë ta ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, në të gjitha fushat dhe komponentët në mënyrë që t’i përmbushë me sukses të plotë synimet e saja.

Sakar i uroi detyrën e re ministrit Quni, përderisa ky i fundit e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Turqia ka ofruar në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të FSK-së.