Anton Quni: Morëm paga në luftë për të mos u shndërruar në profiter lufte

Deputeti i LDK-së dhe ish-ushtari i UÇK-së në Koshare, Anton Quni ka sqaruar pse disa ushtarakë në luftën e Kosovës janë paguar në shumë të caktuara.

Quni, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se organizimi institucional i luftës nënkupton edhe kujdesin financiar për ushtarakët e angazhuar.

“Nëse paraqitesh të Ministria e Mbrojtjes dhe shpreh gatishmërinë që do t’i shërbesh dhe të jesh nën urdhrat e Ministrisë së Mbrojtjes, atëherë i ke pranuar edhe të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë që duhen zbatuar. Nga ai moment liria individuale përfundon”, tha ai.

Ish-ushtari i UÇK-së në Koshare ka thënë se paga e marrë në luftë nuk do të thotë se je shpërblyer për luftën e bërë, por nënkupton krijimi i një ambienti kur t’i nuk mund të gjesh pretekste që të largohesh nga vija e frontit.

“Kur është në pyetje financimi për ngritjen e kapaciteteve ushtarake etj., aty qarkullon shumë para. Dhe kontrolli i parave në kushte lufte është shumë i vështirësuar. Që ushtarakët të mos shfaqin apetite e të mos shndërrohen në profiter lufte, minimumi dhe maksimumi i tij është paga që i ka dhënë Ministria”

Deputeti i LDK-së ka thënë se një organizim i tillë ushtarak është kulturë e botës perëndimore por edhe në lindje.

“Kjo çështje reflektohet edhe në qarqet politike, diplomatike kur brenda një organizimi ekziston një kod, disiplinë, auditim, kontroll etj., dhe me mbarimin e luftës dihet se me çfarë pasurie ekonomike ka hyrë në luftë e me çfarë pasuri ka dalë”.

Quni ka thënë se gjatë gjithë periudhës së luftës është paguar në vlerë prej 12 mijë markash, por sipas tij ai vetëm për një muaj me biznesin e tij në Kroaci ka fituar 12 mijë marka.