Njëri prej mjekëve i vetëizoluar në Viti shkaku se ka pasur kontakt me personin e prekur me koronavirus është ankuar se askush s’është interesuar për fatin e tyre. Ka thënë se ende s’i ka kontaktuar askush nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për t’i testuar nëse janë prekur me COVID-19.
“Një pjesë që kemi pasë kontakt me pacientin e prekur me COVID-19 nuk jemi testuar dhe as ekzaminuar. Çdo vetizolim, çdo veprim e kemi bërë vullnetarisht, vetëm me përkrahjen e Komunës së Vitisë”, ka shkruar njëri prej mjekëve.
Nga Qeveria dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik nuk kanë folur lidhur me këto ankesa. Nuk është përgjigjur as Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ndërkohë, Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka bërë thirrje Qeverisë të ndihmojë Vitinë. Ka thënë se ende asnjë ndihmë nuk i ka ardhur këtij qyteti nga niveli qendror.







