Anglia zbut masat ndaj COVID-19, i lejon përqafimet

Brenda më pak se një jave, njerëzit në Angli do të mund t’i përqafojnë miqtë dhe familjarët për të parën herë që nga zbatimi i masave në fillim të marsit të shkuar për frenimin e përhapjes së pandemisë.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka konfirmuar se ka miratuar lejimin e kontakteve të munguara mes njerëzve që prej 17 majit, si pjesë e zbutjes së masave pas uljes së theksueshme të rasteve të infektimit me koronavirus.

Lehtësimi i kufizimeve do të përfshijë edhe rihapjen e kafeneve dhe restoranteve për shërbime në hapësira të mbyllura, si dhe të kinemave e hoteleve.

Do të lejohen gjithashtu takimet mes dy amvisërive, në ambiente shtëpiake.

Megjithëkëtë, Johnson ka paralajmëruar qytetarët për kujdes, meqenëse kontaktet sociale konsiderohen si mënyrë kryesore për bartjen e virusit.

Aktualisht, Britania e Madhe regjistron rreth 2 mijë raste ditore të infektimit, shifër kjo dukshëm më e ulët krahasuar me pikun prej 70 mijë syresh në janar. Ulja e bilancit i atribuohet fushatës masive të vaksinimit ndaj COVID-19, të ndërmarrë në Mbretërinë e Bashkuar.