Anglia U-21 shuan ëndrrën e Shqipërisë

Anglia U-21 nuk i ka dhënë fare shpresë Kombëtares U-21 të Shqipërisë për kualifikim në “Euro 2021”. Shpresave të Shqipërisë i është dashur fitorja ndaj Anglisë për të shpresuar në kualifikim. Por Anglia, të martën mbrëma, fitoi thellë, 5:0, në ndeshjen e luajtur në Wolverhampton.

Ishte ndeshja e fundit e kualifikimeve për Evropianin e vitit tjetër. Anglia më herët kishte siguruar kualifikimin, por shënoi edhe një fitore të thellë. Anglia përfundoi kualifikimet në vendin e parë në grup me 28 pikë. Austria renditet e dyta me 18 pikë, ndërsa Shqipëria e treta me 14 pikë.

Në të vërtetë Shqipërisë nuk do t’i kryente punë as fitorja eventuale ndaj Anglisë. Austria fitoi thellë, 4:0, ndaj Andorrës dhe e vendosi vetë fatin për pozitën e dytë në grup. Vendi i tretë, megjithatë, është sukses për kuqezinjtë, që kampanjën e mbyllën me katër fitore, dy barazime e katër humbje.

Është bilanc dukshëm më i mirë se ai i Kosovës U-21, që ishte në grup të njëjtë.

Kosova U-21 e mbylli këtë cikël kualifikues me humbje të thellë. Shpresat e Kosovës pësuan 3:0 nga Turqia në Samsun.

Kosova përfundoi kualifikimin në vend të parafundit (5) me nëntë pikë nga dhjetë ndeshje. Kosova shënoi dy fitore në fillim, 4:0 ndaj Andorrës dhe 3:1 ndaj Turqisë. Andorrën e mposhti edhe muajin e kaluar në Prishtinë, kurse të gjitha ndeshjet tjera i humbi.

Ndaj Turqisë, Kosova U-21 luajti prej minutës së 31-të me një lojtar më pak në fushë, pas përjashtimit të Leonat Vitijës, të ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë. Ai shkaktoi penallti. Guven Yalçin realizoi penalltinë. Halil Dervishoglu shënoi për 1:0 në minutën e 21-të kurse Leard Sadriu shënoi autogol në minutën e 64-t për rezultatin final.

Ndërkohë golat për Anglinë ndaj Shqipërisë i shënuan Callum Hudson-Odoi, James Justin, Jamel Musiala dhe Edward Nketiah. Nketiah shënoi dy golat e fundit.

Prej kësaj gjenerate tashmë kanë dalë lojtarë te Kosova A dhe Shqipëria A. Për shumicën e lojtarëve ishin ndeshjet e fundit me grupmoshën e Shpresave. Si zakonisht disa prej tyre më nuk do ta veshin asnjëherë fanellën e shtetit.