Angazhohen mësimdhënës pa diploma, DKA e Ferizajt hesht

Asamblisti i pavarur në Kuvendin Komunal të Ferizajt, Amir Rexhepi ka drejtuar akuza tek ekzekutivi lokal i Ferizajt se në sistemin arsimor ka mësimdhënës që nuk janë të diplomuar. Ai tregoi se zyrtarisht janë gjashtë mësimdhënës të gjuhës gjermane, tre mësues klase dhe tre të tjerë të lëndës së fizikës që janë pa diploma.

“Këto ditë kemi bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj për qasje në dokumente publike, duke e ditur se kemi një numër të madh të mësimdhënësve të padiplomuar që janë të angazhuar nëpër shkolla të ndryshme. Kemi marrë përgjigjie por ai numër nuk përkon me atë që ne e dimë që është numër më i madh i mësimdhënësve të padiplomuar që punjnë në shkolla. Them shpesh se mjafton me pasë të kryer fruthin dhe kollën e me u punësu në ndonjë shkollë në Ferizaj. Nuk ka kurrëfar kriteri, ndoshta përkatësia partiake dhe njerëz të afërt me kryetarin Aliu që nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Unë mendoj që ai e ka politizu arsimin skajshmërisht duke mos i traju barabar aplikantët. Ne çdo ditë marrim ankesa nga të rinjtë e diplomuar që nuk arrijnë të sigurojnë një vend pune, ndonëse i plotësojnë kushtet e konkurseve”.

Rexhepi thotë se ka edhe shumë mësimdhënës që nuk japin lëndën përkatëse për të cilën janë të thirrur.

“Nuk kanë dhënë ndonjë arsye se pse këta mësimdhënës janë angazhu të padiplomuar, përveç përgjigjies se janë në përgatitje të shpalljes së konkursit. Teksa e dimë se ka mësimdhënës që qe dy apo tre vjet punon i padiplomuar në sistemin arsimor të Ferizajt. U bëj thirrje inspektorëve që të reagojnë, të dalin në shkolla, t’i shikojnë dokumentacionet e tyre se a janë këta mësimdhënës të diplomuar apo punojnë vetëm ashtu”.

 Në këto akuza e kontaktuam drejtorinë e arsimit në Ferizaj, mirëpo drejtori Afrim Llabjani nuk ishte i gatshëm që publikun ta informojë për arsyet e angazhimit të këtyre studentëve  të padiplomuar në proces të mësimdhënies.