NATO paralajmëron për prani të përhershme të trupave të saj në rajon

NATO tash e sa ditë përmes sekretarit të saj ka paralajmëruar se aleanca është duke shqyrtuar mundësinë e pranisë së përhershme të trupave në Kosovë dhe rajon. Njohësit e fushës së sigurisë thonë se kjo deklaratë është e mirëseardhur dhe sipas tyre kjo ka të bëjë edhe me lëvizjet gjeopolitike.

KFOR-i si misioni paqeruajtës i NATO-s që nga përfundimi i luftës vazhdon angazhimin në Kosovë.

Numri i pjesëtarëve të KFOR-it përgjatë viteve ka vazhduar të zvogëlohet, por kohëve të fundit me rritjen e tensioneve, aleanca ka shtuar ushtarët në Kosovë dhe aktualisht janë rreth 4.600 trupa paqeruajtës. Numri i tyre u rrit pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

Institucionet e Kosovës prej kohësh kërkoi shtimin e trupave të KFOR-it, për shkak të siç thonin kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Prishtinë, ka deklaruar se po shqyrtojnë praninë e përhershme të forcave në Kosovë. Këtë qëndrim kreu aleancës e ka përsëritur së fundmi edhe në margjinat e një takimi të NATO-s në Bruksel.

Anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, thotë se deklarata e Stoltenberg është e mirëseardhur për Kosovën.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Hysen Gecaj thotë se këto deklarata konfirmojnë se NATO do të shtoi numrin e trupave në Kosovë në bazë të nevojave që shfaqen në terren.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, ditë më parë ka paralajmëruar se shkaktimi i trazirave në veri të Kosovës nënkupton përballje me NATO-n.