Erden Atiq

Anëtarja e grupit iniciues në RTS: Nesër në ora 9:00 nis peticioni për shkarkimin e Atiqit

Nënshkrimi i peticionit të qytetarëve për shkarkimin e kryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, do të fillojë nesër në ora 09:00, ka bërë të ditur Sanja Llazareviq Krtiniq, anëtare e grupit që ka iniciuar procedurën.

“Në emër të grupit iniciativ për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, po i njoftoj qytetarët se më në fund i kemi marrë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe se nesër do të fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit”, ka thënë ajo për RTS-në.

Ajo ftoi të gjithë qytetarët që nga nesër “të vijnë dhe të mbështesin iniciativën për largimin e Erden Atiqit, duke thënë se ai nuk ka legjitimitet të udhëheqë një komunë ku serbët përbëjnë shumicën e popullsisë dhe që ka marrë vendime kundër interesave të serbëve dhe të gjithë qytetarëve të Mitrovicës”.

“Pres që qytetarët të përgjigjen, sepse besoj se askush nuk e përkrah udhëheqjen e qytetit tonë në këtë mënyrë dhe shkaktimin e tensioneve”, tha Krtiniq.

Peticioni do të nënshkruhet në sallën e sporteve në Mitrovicën e Veriut.