Anëtari i Përkohshëm i Bordit në Postë nuk gjendej në konflikt të interesit, mbyllet hetimi

Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) ka gjetur se Genc Rama, i cili ushtroi pozitën e anëtarit të Përkohshëm të Bordit në Postën e Kosovës, nuk gjendej në konflikt të interesit.

Ndaj tij, Kundër-Korrupsioni kishte nisur një hetim mbi dyshimet për konflikt interesi. Rama, i cili me vendim të Qeverisë Kurti u emërua në Bordin e Përkohshëm të Postës vitin e kaluar, mbante njëkohësisht edhe pozitën e zv/presidentit të postës private gjermane “Deutsche Post AG”.

Por, një vendim i nxjerrë muajin e kaluar nga AKK-ja ka mbyllur hetimet ndaj Ramës. Ka konstatuar se i emëruari i qeverisë në Bordin e Përkohshëm të Postës, nuk ndodhej në konflikt interesi.

Sipas agjencisë, zyrtari Genc Rama nuk ka “asnjë lloj aksioni, interesi, bashkëpunimi apo detyre” me përfaqësinë e DHL, Postës Gjermane, në Kosovë dhe me selinë e saj qendrore në Shkup, Maqedoni.

“Mbyllet rasti për zyrtarin Genc Rama, anëtar i Bordit të Përkohshëm të NPQ ‘Posta e Kosovës’ Sh.A. për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme që argumentojnë dyshimin e arsyeshëm për ekzistimin e konfliktit të interesit”, thuhet në vendim, raporton Paparaci.

Genc Rama, nuk e ushtron pozitën e anëtarit të Bordit të Postës prej 26 janarit të këtij viti, kur qeveria emëroi bordin e ri të ndërmarrjes bazuar në një konkurs publik.

Rama, punon dhe vepron në Gjermani. Ai erdhi në Kosovë si një kuadër i diasporës, për të cilët ka folur shpeshherë kryeministri Albin Kurti.