Anëtari i LDK-së largohet nga KQZ-ja, ia mësynë postit të deputetit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve edhe zyrtarisht ka mbetur pa një anëtar të njërës prej partive më të mëdha të vendit.

Florian Dushi, ish-anëtar nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë dorëheqje nga KQZ. E gjithë kjo sipas Dushit, është bërë pasi ai është zgjedhur anëtar në Kryesinë Qendrore të LDK-së.

Përveç kësaj, thotë Dushi se edhe kandidimi i tij për deputet nga LDK, ka qenë njëra prej arsyeve se përse ai është larguar nga KQZ-ja.

Dushi ka shtuar se LDK menjëherë do t’ia përcjellë presidentit, Hashim Thaçi edhe kërkesën për zëvendësimin e tij nga LDK.

“Jam zgjedhur anëtar i Kryesisë Qendrore të LDK-së dhe synoj me qenë pjesë e listës së kandidatëve për deputet të LDK-së. LDK pritet që menjëherë këto ditë t’ia përcjellë presidentit kërkesën për zëvendësim me emrin e të nominuarit të saj”, tha Dushi.

Florian Dushi më 23 gusht të këtij viti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së është zgjedhur si anëtar i Kryesisë.

Ai është zgjedhur edhe kryetar i degës së dytë të LDK-së në Prishtinë në zgjedhjet e brendshme të kësaj partie./Blic/

loading…