Anëtari i Kryesisë së AAK’së bën thirrje të ndiqet penalisht Presidenti

Zëvendësministri i Arsimit, Muhamet Kelmendi, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit ta ndjekë penalisht Hashim Thaçin për fondet e luftës.

Ky zyrtar i AAK’së ka përmendur 5 milionë dollarë, që sipas tij, i kishte marrë një familjar i Presidentit në vitin 1999.

“Vetëm në vitin 1999 iu dhanë nga Fondi “Vendlindja Thërret” 5 milionë dollarë vëllaut të z.Thaçi. Ato i dha në Lubljane Mark Bardhi. Faktet flasin se z.Thaçi dhe thaçat tjerë të pozitës e të opozitës janë njerëz të dyshimtë dhe të cilët duhet të ndiqen dhe të hetohen penalisht”, ka thënë Kelmendi, që është anëtar i Kryesisë së AAK’së.

Megjithëkëtë, ai dyshon se organet e drejtësisë do ta ndjekin Presidentin për faktin se gjithçka kontrollohet në këtë shtet.

“1.Policia e kapur dhe e varur nga klika e ndërtuar prej z.Thaci. 2.AKI e udhëhequr tash nga Shpend Magjuni e më herët nga njerëzit gjithashtu të tij apo 3.Nga gjykatat që marrin frymë nga klani “Pronto”. Për atë e vendosën në Gjykatën Supreme edhe një njeri të klanit të tyre, z.Enver Pecin. Pra, faktet bëjnë të dyshojmë se ka forca tash për tash për ta hetuar këtë a ndokë nga Presidenca”, ka shkruar Kelmendi.

Këto komente të Kelmendit po bëhen në kohën kur është bërë e ditur se Prokuroria e Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj Bujar Bukoshit, Atdhe Gashit e Naser Osmanit për keqpërdorim të fondeve të luftës në vlerë prej 150 mijë eurosh.

Ndërkohë, askush prej udhëheqësve të fondit “Vendlindja Thërret” ende nuk është gjykuar e hetuar për atë se ku kanë mbetur ato mjete, një pjesë e të cilave u kanë tepruar pas përfundimit të luftës.