Anëtari i Guxo i dënuar nga gjykata emërohet drejtor në “Trainkos”

Një i dënuar nga gjykatat me vendim të formës së prerë është ‘graduar’ në drejtor departamenti brenda Ndërmarrjes “Trainkos”.

Nga pozita e ‘dispeçerit’, Sabit Berisha, një përkrahës i partisë “Guxo”, është avancuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit të Transportit të Mallrave.

Vendimi është nxjerrë të enjten dhe mban vulën e Kryeshefit Ekzekutiv të “Trainkos”, Agron Statovci.

“Z. Sabit Berisha lirohet nga detyrat e punës ‘dispeçer’, caktohet ushtrues i detyrës së Drejtorit të Departamentit të Transportit të Mallrave deri me datën 24.10.2023”, thuhet në vendimin të cilin e ka siguruar Paparaci

Berisha, dyshohet se është avancuar në detyrë për shkak të afërsisë me partinë Guxo, të udhëhequr nga Faton Peci e Donika Gërvalla, raporton Paparaci. Ai është anëtar i partisë.

Në vitin 2017, Sabit Berisha ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë për tejkalim të kompetencave të tij. Aktgjykimi kishte marrë vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit po atë vit.

Berisha ishte dënuar për shkak se në cilësinë e shefit të mirëmbajtës së lokomotivave në hekurudhat e Kosovës “Trainkos” SH.A kishte tejkaluar kompetencat e tij.

Sipas aktakuzës, ai në mënyrë të kundërligjshme kishte kontaktuar operatorin ekonomik “Gradelj” në Kroaci, e cila kishte qenë në procedurë tenderimi. Berisha me anë të e-mailit zyrtar i kishte dërguar këtij operatori specifikat e tenderit para se të bëhej shpallja publike e tenderit.

Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë, ai i kishte krijuar përparësi kësaj kompanie, krahas kompanive tjera ofertuese.

Si pasojë e dënimit, në vitin 2018, ai ishte shkarkuar nga detyra e shefit të mirëmbajtjes së lokomotivave në Departamentin e Operimeve. Që nga viti 2018, ai ishte sistemuar dhe punonte si ‘dispeçer i vagonëve’ në hekurudhat e Kosovës.