Kreu i VV’së, Albin Kurti nesër ka paralajmëruar një tubim, siç tha ai për nder të ditës së Çlirimit por edhe të themelimit të VV’së. Në publik e njëjta më shumë u interpretua si protestë, e si të tillë po e konsiderojnë edhe disa figura të larta të kësaj partie.

Disa po i thonë se është protestë, e disa vetëm tubim. Anëtarët e VV’së siç duket janë të ndarë në mendimet e tyre për atë që është paralajmëruar nesër nga kjo parti.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV’së, Rexhep Selimi ka thënë se nesër nuk do të protestojnë, por vetëm do të tubohen si në disa mbledhje që dikur i mbanin në salla apo palestra.

“Nesër do të ketë një tubim që shënon dy data të rëndësishme dhe jo protesta. Këto tubime, më herët i kemi mbajtur në salla dhe palestra, por kësaj here mbahet në shesh. Do të jemi të kujdesshëm edhe sa i përket situatës me Covid 19”.”, tha ai sonte në Rubikon.

Mendim të njëjtë pati edhe Glauk Konjufca, nënkryetar i kësaj partie. Ai në Debat Plus tha se ajo e nesërmja nuk do të jetë protestë, shkruan Gazeta Metro.

Mirëpo, ndryshe mendon nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Arbërie Nagavci, e cila po thotë se nesër edhe do të protestojnë.

“Festojmë por edhe do të protestojmë, për të shënuar data me rëndësi e për të kundërshtuar projekte me rrezik.”, ka shkruar sot ajo mes tjerash në një postim të fundit në rrjetin social Facebook.