INTERPOL

Anëtarësimin në Interpol e ndihmon luftën e Kosovës kundër trafikimit të qenieve njerëzore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën për Shënimin e Ditës së BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ai me këtë rast tha se përkushtimi i institucioneve të Kosovës është që të punohet jo vetëm që të jenë pjesë e një lufte që bëjnë vendet e BE-së kundër luftimit të trafikimit me qenie njerëzore, por edhe të ketë sukseset e veta, transmeton Koha.net.

“Kosova është e sfiduar me luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, për shkak se ende nuk është anëtare e Interpolit dhe Europolit”, tha kryeministri Haradinaj, duke besuar shumë se me anëtarësimin në Interpol, Kosova do të jetë më e aftë dhe më në gjendje të zhvillojë partneritet me të gjitha institucionet relevante në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, duke siguruar se në Kosovë, të gjitha vendet e Bashkimit Evropian kanë një partner serioz në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Shtoi se Kosova ka hartuar Ligjin për Kompensimin e Viktimave të Krimit; se është krijuar komisioni për Kompensim ndaj viktimës së krimit, i cili funksionon në Ministrinë e Drejtësisë dhe se Kosova është duke zbatuar Strategjinë dhe Planin e Veprimit 2016-2019, e cila është vazhdimësi e dy strategjive të mëhershme në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore.

Haradinaj tha se në gjysmën e parë të këtij viti, Prokuroria e Shtetit ka trashëguar 38 raste me 66 persona dhe ka pranuar 11 raste të reja me 15 persona. Prokuroria gjatë kësaj periudhe ka punuar gjithsejtë me 49 raste ligjore me 31 persona, nga të cilat i ka zgjidhur 14 raste me 24 persona, ndërsa kanë përfunduar 35 raste tjera me 52 persona.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Trafikimi me qenie njerëzore është ndër shkeljet më flagrante të të drejtave të njeriut, vlerën mbi të cilën është ndërtuar shteti ynë.

“Trafikimi me qenie njerëzore lëkund themelet e Bashkimit Evropian dhe vazhdon të jetë ndër problemet më fundamentale, me të cilat përballet BE-ja edhe sot, por edhe vendet tona”, tha presidenti Thaçi, duke shtuar se Kosova ka krijuar një kornizë gjithëpërfshirëse ligjore dhe politike për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore të harmonizuara me ligjet e BE-së.

Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se ka kënaqësinë që të merr sot pjesë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm që siç tha ajo, shërben në ngritjen e ndërgjegjësimit dhe shkëmbimit të informacioneve, njohurive dhe praktikave ndërmjet akterëve të ndryshëm të përfshirë.

Sipas saj, për BE-në, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore është top prioritet në të gjithë botën dhe se angazhimi në luftimin ndaj këtij fenomeni, po aq sa është individual, është edhe shoqërorë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se institucionet e Republikës së Kosovës, gjithherë kanë treguar një gatishmëri në gjetjen e metodave sa më adekuate për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore.

“Prioritet i të gjitha instancave relevante mbetet parandalimi i kësaj dukurie, i përcjellë edhe me aktivitete të ndryshme që do jenë pjesë edhe e kësaj fushate Anti-Trafikim me Qenie Njerëzore, me qëllim të ngritjes së vetëdijes së opinionit publik dhe ndërgjegjësimit institucional”, tha ministri Mustafa.