Ancelotti beson se ndeshja e fundjavës me Atalantën do të jetë më e vështirë sesa ajo me Liverpoolin
Pas fitores komode në shtëpi me rezultat 3-1 ndaj Crvena Zvezdës, Napolit i duhet vetëm një pikë në udhëtim te Liverpooli për të siguruar kualifikimin, gjersa trajneri i napolitanëve, Carlo Ancelotti ka besim për arritjen e këtij objektivi.
59 vjeçari mendon se përballja me Atalantën në udhëtim që zhvillohet të hënën, do të jetë më e vështirë sesa ballafaqimi me Liverpoolin në “Anfield”.
Napoli kryeson grupin C me 9 pikë të grumbulluara teksa ka mbetur edhe një xhiro për t’u zhvilluar, ndërsa klubit italian i duhet ta evitojë humbjen me 2 gola në mënyrë që të kalojë në fazën me eliminim direkt.
“Na duhet të kemi guxim dhe të luajmë ndeshjen tonë. Tani të mendojmë për sfidën me Atalantën, takim që është më i vështirë se Liverpooli. Jam i kënaqur me intensitetin e lojës ndaj Crvena Zvezdës për 60 minuta dhe pastaj kishim një bllokim psikologjik që ishte i pa shmangshëm. Nuk mund të kalkulojmë në ndeshjen me Liverpoolin. Kemi treguar kualitetin tonë, kemi një avantazh që na bën krenar. Kryesojmë grupin më të vështirë të Champions Leagues”, nënvizoi Ancelotti.
Napoli është lider i grupit C me 9 pikë të grumbulluara, 1 më shumë se Paris Saint Germain që radhitet në vendin e dytë, derisa Liverpooli ka 6 pikë në pozitën e tretë.