Hekuran Murati

Analiza e GAP tha se Qeveria po e orienton buxhetin kah komunat ku qeverisë VV-ja, reagon Murati

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka deklaruar se “shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat”.

Në këtë mënyrë Murati i është përgjigjur raportit të Institutit GAP, ku thotë se “52 për qind të buxhetit do të shkojnë në tri komunat që i qeverisë VV-ja”.

“Ngarendja pas titujve senzacionalë, mund të rezultojë edhe me këso konstatime që fare nuk përkojnë me realitetin, por që shumë lehtë dezinformojnë qytetarët duke krijuar përshtypje për ndarje të padrejtë të buxhetit për investime kapitale, që për vitin e ardhshëm do të jetë 811 milionë euro”, ka thënë Murati.

“Konstatimi në titull u referohet projekteve që në total bëjnë 12 milionë euro, e që nga 811 milionë euro sa është buxheti total për investime kapitale i bie më pak se 1.5%. Larg me 52%-shin bombastik e dezinformues në titull”, ka deklaruar ai.

“Shumica e buxhetit për projektet e reja kapitale, është shpërndarë proporcionalisht dhe barabartë nëpër të gjitha komunat, përmes grantit qeveritar.

Pjesa tjetër e buxhetit është alokim shtesë nëpër projekte ekzistuese që janë zvarritur me vite të tëra e nuk janë përfunduar kurrë, sepse qeveritë e kaluara i kishin nisur pa buxhetin e mjaftueshëm. As kjo nuk është reflektuar në këtë analizë”.

“Kushdo që është i interesuar të dijë më shumë për buxhetin, mund të na bashkohet në takimet që po mbajmë me qytetarë nëpër komuna, ku shpalosim shumë detaje e plane për vitin 2023”, përmbyllet postimi i Muratit në Facebook.