Analisti amerikan

Analisti amerikan: Ja pse Serbia kurrë nuk prishet me Rusinë

Është ende e vështirë të thuhet se si mund ta ndryshojë politikën amerikane ndaj Ballkanit adiministrata e re e Joe Bidenit, shumë do të varet nga zgjidhjet kadrovike. Kështu thotë Gordon Bardos, ekspert amerikan për Ballkanin.

“Megjithatë, ka disa gjëra që mund t’i përmbledhim. Së pari, debatet e politikës së jashtme luajtën një rol më të vogël në këto zgjedhje presidenciale sesa në cila do tjerat në gjithë historinë. Shqetësimi më i madh për politikën e administratës së Bidenit ndaj Evropës Juglindore është sesi premtimet e rreme dhe shpresat e rreme mund të vonojnë progresin gjatë pesë deri në dhjetë vitet e ardhshme”, thotë ai.

Sipas tij, qeveria e Bidenit do të duhet të kuptojë se problemet që shqetësojnë rajonin nuk janë të njëjtat me ato që ishin 25-30 vjet më parë.

“Në Evropën Lindore dhe Juglindore, ka nëntë në dhjetë vende me rënien më të shpejtë të popullsisë në botë: ky problem mundon Bullgarinë, Serbinë, Kroacinë, BeH-në … Në vitin 2019, BeH-ja kishte, sipas Bankës Botërore, nivelin e dytë më të lartë të papunësisë së të rinjve në botë. dhe Maqedonia Veriore ishte e pesta. Dhe ndërsa Uashingtoni ka fajësuar “ndërhyrjen ruse” për shumë politika të dështuara në rajon, çdo hulumtim i vërtetë do të tregonte se problemi është në Uashington sesa diku tjetër. Bideni, për shembull, ishte njeriu për Ballkanin në administratën e Obamës, dhe në atë rol ai priti Milo Gjukanoviqin dhe Hashim Thaçin në Shtëpinë e Bardhë”

Gjukanoviqi sipas ekspertit amerikan, u shpall “njeri i krimit të organizuar” disa vjet më parë, dhe Thaçi sapo është paditur për krime lufte. “Kur Uashingtoni i bën njerëz të tillë bashkëpunëtorë në Evropën Juglindore, është e qartë pse rajoni ka rënë kaq poshtë demokratikisht dhe ka probleme me sundimin e ligjit. Do të jetë interesante të shihet nëse Biden dhe ekipi i tij i politikës së jashtme i kuptojnë këto çështje dhe kanë aftësinë për të ndryshuar qasjen e tyre ndaj Evropës Juglindore”, thotë Godron në një intervistë për gazetën kroate “Veçernji list”.

Në pyetjen se a do të mund të bëhen shtetet e Ballkanit ndonjëherë pjesë të Evropës, Gordon thotë se shtetet ballkanike kanë mundësinë e anëtarësimit në BE, por kjo varet nga një numër faktorësh, shumë prej të cilëve janë jashtë kontrollit të tyre.

“Duke pasur parasysh kohën mesatare që i duhet një vendi kandidat për të përfunduar negociatat, edhe në rrethanat më të mira do të duheshin pesë deri në 10 vjet që ato vende të bashkohen me BE-në. Por edhe ky zhvillim relativisht i ngadaltë nënkupton që vendet anëtare mund të bien dakord për zgjerimin dhe pranimin e shteteve të reja, gjë që nuk po ndodh tani. Së dyti, disa vende në rajon që shpresojnë të anëtarësohen përfundimisht në BE qartas nuk janë në gjendje të përmbushin kriteret e kërkuara nga BE-ja”.

“Pra, është më se e drejtë të pyesësh nëse do të ketë një Bashkim Evropian në të cilin këto shtete të Ballkanit mund të anëtarësohen në 10 ose 20 vjet”.

Për marrëveshjen e Uashingtonit ndërmjet Kosovës e Serbisë ai ka thënë ndonëse “është herët të shpallet si truk parazgjedhor”, megjithatë ka thënë se do të jetë vështirë të thuhet se është kthesë vendintare historike në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit e Prishtinës.

Rreth mundësisë që Vuçiqi të distancohet nga Rusia në një perpspektivë më të gjatë, Gordon ka thënë se ka indikacione se kjo po ndodh, deri sa në qeverinë e re të Serbisë kanë hyrë “disa njerëz të cilët kanë reputacion se janë proamerikanë”, ndërsa “disa të tjerë, të cilët vlerësohen si pro-rusë i kanë humbur pozitat”. Ai ka vënë në dukje se Serbia në vitin 2015 ka mbajtur 567 aktivitete me NATO-n, ndërsa vetëm 36 të ngjashme me Rusinë.

“Serbia kurrë nuk do të miratojë pozicione të hapura anti-ruse, për një numër arsyesh të dukshme historike, kulturore dhe fetare. Por ka edhe arsye praktike që Beogradi të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën. Rusia është vendi më i madh në botë, me rezerva të mëdha energjie dhe mineralesh, një nga arsenalet më të forta bërthamore në botë dhe një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të KB. Politika e jashtme e çdo vendi duhet të respektojë ato realitete dhe kjo ka të bëjë me Serbinë po aq sa me Kroacinë”.