Analisti Abdullahu: Për disa UÇK është e mirë vetëm te varret

Analisti politik, Faton Abdullahu ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës për disa është e mirë vetëm të varret, e jashtë tyre, dyshojnë në të.

Abdullahu përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook,k ka thënë se UÇK për disa është vlerë e shenjtë, vetëm nëse lidhet me të vdekur, por jo edhe me ata që janë gjallë.

“Sot për disa UCK-ja është vlerë historike, por vetëm nëse ajo është e njëjtë për të gjithë dhe e të gjithëve. Sipas këtyre nuk duhet të jetë më shumë në asnjë variantë e atyre që kanë luftuar, sidomos jo e atyre që luftuan por janë ende të gjallë.”, ka shkruar ai tutje.

Postimi i plotë:

‘UÇK-ja është e mirë vetëm te varret’

Sot për disa UÇK-ja është e mirë, por vetëm kur është te varret. Po qe jashtë varreve në te dyshohet. Edhe më keq, po qe jashtë varreve dhe në pushtet atëherë përjashtohet, mallkohet dhe dërgohet në Gjykatë.

Sot për disa, UÇK-ja është vlerë e shenjtë, por vetëm nëse lidhet me të vdekurit, veprën dhe flijimin e tyre, po ama jo edhe me të gjallët, pavarësisht se edhe të mbeturit gjallë ishin UÇK, të gatshëm për flijim e të guximshëm për të luftuar.

Sot për disa UÇK-ja është vlerë e shenjtë por vetëm nëse ajo nuk ka fytyra të njerëzve të gjallë. Mundësisht, edhe më mirë, vetëm nëse UÇK është histori, fotografi, epitaf, gurë varri, emblemë.

Sot për disa UCK-ja është vlerë historike, por vetëm nëse ajo është e njëjtë për të gjithë dhe e të gjithëve. Sipas këtyre nuk duhet të jetë më shumë në asnjë variantë e atyre që kanë luftuar, sidomos jo e atyre që luftuan por janë ende të gjallë.

Sot disa e duan LIRINE PA EMËR e këta harrojnë se shenja e parë e robërisë është kur lirisë i harrohet emri.