Analistët thonë se Amerika ka vendosur sanksione edhe ndaj aleatëve tjerë

Nga opozita por edhe njohës të zhvillimeve politike, po kërkojnë kujdes në raportet mes Kosovës dhe SHBA-së. Thonë, se edhe në të kaluarën, ka pas praktika të tilla që shteti amerikan i ka përdor në raport me shtet mike.

Presioni ndaj Qeverisë së Kosovës vetëm vazhdon e rritet. Senatori amerikan, Rand Paul, është politikani i radhës që ka paralajmëruar që trupat amerikane mund të tërhiqen nga Kosova, në rast se nuk largohet taksa ndaj produkteve serbe.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti, që t’i merr më seriozisht paralajmërimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

“Ky është një paralajmërim për Qeverinë Kurti. Ata duhet ta marrin më seriozisht paralajmërimet amerikane për një tërheqje të mundshme të trupave nga Kosova. Kjo temë duhet trajtuar në Qeveri jo në rrugë dhe pa partnerin qeveritar LDK”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Haxhi Shala.

Sipas tij, edhe qytetarët po kërkojnë që të plotësohet kërkesa amerikane.

“Kjo më nuk është punë pozitë-opozitë por kërkesë e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi më tej, Haxhi Shala.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Ramush Tahiri, thekson se këto metoda Amerika i ka praktikuar edhe më herët me partnerët e saj.

“Presioni nga SHBA është një këshillë miqësore por edhe qëndrim që duhet të zbatohet. Masat që shërbejnë si sanksione në lëmitë që ne kemi bashkëpunim me Amerikën zbatohen për t’i treguar popullit se qëndrimi amerikanë është i drejtë. Këto masa Amerika i zbaton edhe ndaj miqve tjerë si Turqia apo Arabia Saudite në varësi të situatës”, deklaroi Ramush Tahiri.

Presioni amerikan për heqjen e taksës, po bëhet në vazhdimësi, për t’i hap rrugë dialogut.