Deklaratat e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, se taksa ndaj Serbisë nuk duhet të keqpërdoret dhe se kjo duhet të tërhiqet në një të ardhme shumë të afërt, analistët e shohin si deklaratë për fitore personale.
Analisti Imer Mushkolaj tha për Ballkani.info se këto kërkesa Thaçi po i bënë me qëllim, pasi që konsiderohet si njeriu kyç i dialogut.
“Por as Thaçi, e as të tjerët, nuk duhet ta keqpërdorin këtë situatë për të përfituar politikisht” u shpreh Mushkolaj.
Presidenti Thaçi ka thënë se me taksën Kosova, do vazhdojë të përceptohet si pengesë e vazhdimit të dialogut dhe si një vend që nuk i respekton rregullat e dialogut dhe negociatave.
Ndërkaq, analisti Mushkolaj tha se taksa nuk i prish marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në siç po trumbetohet
“Dialogu mund të vazhdohet edhe pa e hequr taksën. Serbia, ka vendosur kushte e jo Kosova. Kështu që presioni duhet orientuar kah Beogradi, ngase taksa nuk është vendosur për dialog. Po që se kërkesa e SHBA-së për taksen do te ishte eksplicite, ajo do të hiqej menjëherë. Por, taksa po shërben edhe për ngritjen e pozicionit të Kosovës në dialog”, i tha Mushkolaj portalit tonë.
Nga ana tjetër analisti Arben Ahmeti, tha për Ballkani.info se deklaratatat e Presidentit ridëshmojnë ngutinë e tij që të arrijë një marrëveshje me Serbinë.
“Marrëveshje që pos tjerash do ta bënte të panevojshme Gjykatën Speciale. Në anën tjetër, tregojnë edhe mospajtimet e thella mes Kryeministrit dhe Presidentit” u shpreh Ahmeti.
Ani pse Presidentit Thaçi, nuk po i pëlqen më vazhdimi i taksës ndaj Serbisë, ai është shprehur se për këtë çështje do ta respekton vendimin e Qeverisë së Kosovës.







