Përveç asaj se kush ku është ulur, presidentët e Serbisë dhe Kosovës “bëjnë garë” edhe për atë se kush me kë ka biseduar në Paris. Derisa Vuçiq lavdërohet me bisedë me kancelaren gjermane, Hashim Thaçi i publikon fotografitë dhe tregon se çfarë ka biseduar me presidentin e Rusisë. Tema e këtyre bisedimeve është normalizimi i marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, por për efekte opinioni di shumë pak.
Analistët serb besojnë se procesi i Brukselit është në rrugë qorre dhe se dialogu për normalizim ka nevojë për një restart.
Bisedimet në Paris, të paralajmëruara si të mundshme në mes të Thaçit dhe Vuçiqit, megjithatë nuk u realizuan. Prandaj presidenti i Kosovës është lavdëruar me bisedën tjetër, me presidentin e Rusisë Vladimir Putin.
“Në Paris e takova presidentin Putin. Fokusi ishte në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse juridikisht detyruese. Në lidhje këtë Putini ishte i qartë, nëse e arrini marrëveshje, Rusia do ta përkrahë”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë: “Jemi larg me mile, dhe marrëveshja në mes të Serbisë dhe Kosovës është shumë larg”. Kjo gjendje momentale i duket edhe analistëve serb, transmeton Insajderi.
“Jemi larg marrëveshjes dhe se këto afate të cilat ishin vendosur në mënyrë aq precize para disa muajve, madje flitej se Vuçiqi dhe Thaçi mund ta arrijnë marrëveshjen përfundimtare në Paris, tregon se kjo ishte e paarsyeshme, tepër optimiste”, thotë Mladen Lishanin nga Instituti serb për studime politike.
Sreqko Gjuriq, ish diplomat, thotë se Beogradi dhe Prishtina po ngujohen nëpër pozicionet e tyre. “Prishtina kërkon qëllimin maksimal, e kjo është pavarësia dhe anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, ndërsa Beogradi është i vetëdijshëm për gjithë ato çfarë ka humbur”.
I ka humbur temat, të cilat i ka aq me rëndësi, t’i fusë me kohë në rend të ditës, para dorëzimit të institucioneve në veri”, konsideron Gjuriq.
“Tani është shumë vështirë të fusësh tema të reja në negociata, siç është pozita e kishës serbe, sepse kjo nuk i intereson Kosovës. Kështu ne jemi në një pozitë shumë të palakmueshme. Ne i kemi humbur adutët nga dora”, vlerëson Gjuriq.
Pa marrë parasysh pesimizmit në Beograd, burimet e agjencisë serbe të lajmeve Beta nga Brukseli pohojnë se Frederica Mogherini po përpiqet që deri në fund të vitit ta përforcojë dialogun dhe se nuk heqë dorë nga ambicia që marrëveshja juridikisht e obligueshme të arrihet deri në fund të vitit 2019.







