Analistët: Plani franko-gjerman mund të shtyhet pas ngjarjeve në veri

Marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës e Serbisë, sipas planit franko –gjerman, mund të shtyhet si proces, për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës.

Kështu thonë analistët derisa theksojnë se rreziku është që serbët atje mund të organizojnë referendum për krijimin e një autonomie.

Pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, të gjitha proceset për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë do të shtyhen, thonë analistët në Kosovë, sipas të cilëve, Qeveria e Kosovës nuk i ka kalkuluar mirë veprimet e fundit.

Profesori universitar, Dritëro Arifi, tha për Radio Kosovën se veprimi i fundit i Qeverisë, në një farë mënyre sikur ka refuzuar planin franko-gjerman, duke e shtyrë atë, gjë që sipas tij, shkon në vijë me politikat e Serbisë.

“Qeveria është dashur që ta kalkulojë veprimin, i cili do të ishte më pozitiv për Kosovën. Tani po vërehet se veprimi i qeverisë ka sjellë më shumë shtyrje, sepse tani i gjithë spektri kosovar por edhe ndërkombëtar, më shumë do të merren se si të rregullojnë të gjitha pasojat nga ai veprim, pra, është një autogol i Qeverisë së Kosovës dhe shtyrje e planit franko-gjerman. Tani duhet një punë dhjetëfish më shumë nëse arrijmë t’i integrojmë serbët në veri, sepse tani është gjithçka çështje politike. Pra, sot në veri ka mungesë totale të institucioneve të Republikës së Kosovës, që është edhe cenim i rëndë i Kushtetutës, rendit kushtetues, por edhe sigurisë atje për qytetarët”, tha Arifi.

Ai theksoi se pasojat do të jenë shumë të mëdha, sepse tani komuniteti serb ka shtuar kërkesat, anulimin e vendimit për targat dhe krijimin e asociacionit.

“Tani shikoni se çfarë ka prodhuar Qeveria e Kosovës?! Në vend se të hynte në dialog për marrëveshjen finale, ne tash duhet të merremi me problemet sekondare dhe terciare. Është veprim pa strategji të kalkuluar mirë, ku pasojat do të jenë të rënda nëse nuk dimë të sillemi edhe në ditët në vazhdim. Problemi real ende nuk ka filluar, ai do të fillojë pas 21 nëntorit. Imagjinoni sikur serbët në veri të organizojnë referendum për autonomi. Qeveria e Kosovës, duhet të ndalet, të qetësohet e të koordinohet në mënyrë reale e jo vetëm me fjalë para medieve”, shtoi ai.

Edhe analisti Artan Muhaxhiri, tha për Radio Kosovën se zhvillimet e fundit në veri e dëmtojnë rrugëtimin drejt pranimit të planit franko-gjerman, pasi sipas tij, pa u zgjidhur kjo çështje nuk mund të shkohet tutje me tema gjeopolitike, siç është ky plan.

“Tani për fat të keq, të gjitha energjitë politike edhe të Kosovës edhe të bashkësisë ndërkombëtare do të fokusohen drejt gjetjes së një zgjidhjeje për ri-integrimin e serbëve në sistemin institucional të Kosovës. Prandaj, do të jetë e pamundur që njëkohësisht të merren edhe me planin franko-gjerman. Gjithsesi do të ketë shtyrje të procesit të dialogut, sepse nuk është e mundur që të investohet në dialog përderisa në Kuvendin e Kosovës nuk janë deputetët serbë e as në institucionet në veri”, deklaroi Muhaxhiri.

Sipas Muhaxhirit, tani priten edhe vizitat e emisarëve ndërkombëtarë në Kosovë, Eskobar e Lajçak, në mënyrë që të identifikojnë ndonjë gjetje kreative për zhbllokimin e situatës. Ekspertët theksojnë se do të ketë shumë presione nga ShBA dhe BE, veçanërisht ndaj kryeministrit Kurti, në mënyrë që ai të gjejë vullnetin për të bërë ndryshim në raport me targat, pasi sipas tyre, pas 21 nëntorit, mund të ketë eskalime edhe më të mëdha në veri.