Artan Muhaxhiri

Analistët: Kosova, në pozitë të pafavorshme për takimin e Brukselit

Këtë javë pritet të zhvillohet një rund i ri bisedimesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Takimi në nivel kryenegociatorësh është thirrur për të martën më 19 mars, ndërsa siç kanë bërë të ditur zyrtarët e Bashkimit Evropian, mes të tjerash do të trajtohet edhe çështja e dinarit të Serbisë. Analistët politikë thonë se në këtë takim Kosova shkon në një pozitë të pafavorshme.

Kosova dhe Serbia do të përballen në një tjetër raund bisedimesh të martën që vjen. Siç kanë thënë nga Bashkimi Evropian, çështja e dinarit do të jetë një prej temave që do të trajtohet. Kosova në këtë takim do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ndërsa Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviq.

Analistët politikë e vlerësojnë të vështirë pozitën e Kosovës në këtë takim. Sipas tyre, nuk po shihet asnjë dritë e gjelbër sa i përket Kosovës. Analisti Artan Muhaxhiri thotë se, për fat të keq, kryeministri Kurti, e ka vendosur veten në një pozitë të vështirë për sa i përket çështjes së dinarit.

“Ky do të jetë një takim shumë i vështirë ka indikacione që do të flitet edhe për Asociacionin edhe për dinarin. Për fat të keq kryeministri Kurti e ka vendosur veten në një pozitë shumë të vështirë, sepse nëse pranon që të diskutohet për dinarin, atëherë do ta shkelë premtimin që ka dhënë se çështja e dinarit është e panegociueshme. Ndërkaq, në anën tjetër, nëse nuk pranon të diskutohet, atëherë do t’i prishë edhe me tepër marrëdhëniet me SHBA-në”, ka thënë Muhaxhiri për Radio Kosovën.

Muhaxhiri tutje thotë se çështja e dinarit ka mundur të trajtohej në mënyrë më elegante dhe diplomatike, që Kosova të mos vendoset në një presion kaq të madh.

Që Kosova nuk është në një pozitë të pafavorshme e thotë edhe analistja Arta Tahiri.

“Në fakt Kosova nuk po duket në një pozitë shumë të favorshme. Deri më tani Kosova është vetëm duke u tërhequr nga vendimet të cilat ka thënë se nuk do t’i bëjë. Nuk po shohim asnjë dritë të gjelbër sa i përket Kosovës. Një hap drejt BE-së, anëtarësimi në Këshillin e Evropës apo dhënia e statusit kandidat të Kosovës për të qenë pjesë e BE-së. Deri më tani po shihet që Kosova në të gjitha hapat që ka këmbëngulur që mos t’i bëjë nga kërkesat dhe presionet që ka pasur nga BE-ja dhe SHBA-ja, tashmë Kosova po tërhiqet duke mos marrë në këmbim asgjë”, tha ajo për Radio Kosovën.

Sipas Tahirit, me vendimin e autoriteteve të Kosovës për Manastirin e Deçanit, tashmë dialogu është në një faqe tjetër ku duhet kuptuar zbatimi i të gjitha pikave dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe në Ohër.

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, herën e fundit që ishte për vizitë në Kosovë me 5 mars, konfirmoi se palët do të ftohen për diskutime politike rreth dinarit.