Analistët e njohur, Robelli e Demi, kritikojnë ashpër Kurtin për mbushjen e bordeve me anëtarë të VV-së

Analisti dhe gazetari i njohur Enver Robelli, ka reaguar pas emërimeve të reja nga Qeveria Kurti në bordet e Ndërmarrjeve Publike. Ky reagim i Robellit vjen pasi që në Bordin e Hekurudhës dhe atë të Ujësjellësit, kryeministri në detyrë ka emëruar anëtar dhe kandidat për deputetë të VV-së.

Bëhet fjalë për Mentor Hysenin, ish kandidatin e VV –së për deputet për të cilin Ballkani.info raportoi se ështe emëruar kryesues dhe drejtor i Bordit të Ujësjellësit.

Në anën tjetër, Artan Dermaku është zgjedhur anëtar i Bordit të ndërmarrjes publike “Hekurudhat e Kosovës” – Infrakos.

“Me gjase shume e etur VV. Andaj e ka kapur se pari Bordin e Ujesjellesit. Per ta shuar etjen. Erdhi dita. Veç nuk po dihet: kapje a çkapje?”, ka shkruar Robelli.

Edhe analisti tjetër i njohur, Agron Demi ka reaguar për këto emërime.

“Një ndër veprimet më të pështira të partive është mbushja e bordeve me anëtarë të partive në pushtet. Bordet duhet të shërbejnë për avancimin e ndërmarrjes, e jo për shlyerjen e borxheve të partive. Andaj, zëvendësimi i bordeve partiake me anëtarë të partisë tash në pushtet, është vetëm vazhdim i degradimit të ndërmarrjeve me metoda të njejta, përmes emrave të rinj”, ka shkruar ai. /Ballkani.info/