Analistët: Çështja e targave të kushtëzohet me marrëveshje finale

Pas shtyrjes për 48 orë të zbatimit të vendimit për gjobitjen e qytetarëve me targa ilegale, analistët në Kosovë thonë se këto ditë do të ketë zhvillime intensive. Sipas tyre, tema e targave është një lojë politike e Serbisë, që nuk dëshiron progres, por bllokim të proceseve. Analistët theksojnë se tani Kosova duhet të vë kusht që të arrihet marrëveshja finale me Serbinë.

Shtyrja e zbatimit të vendimit për gjobat e për pronarët e automjeteve me targa ilegale për 48 orë, me kërkesë të ambasadorit amerikan, Hovenier, mund të pasojë me vizita e takime ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare e kryeministrit Kurti, thonë analistët në Kosovë. Analisti Artan Muhaxhiri tha për Radio Kosovën se qëllimi kryesor gjatë këtyre dy ditëve është që të arrihet një marrëveshje afatgjatë, e jo të ketë shtyrje një apo dy ditore, pasi sipas tij, kjo mund të rrisë më shumë tensionet. Ai theksoi se Qeveria e Kosovës duhet të harmonizojë marrëveshjen me kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së.

“Nuk ka asnjë logjikë që të mos arrihet një marrëveshje, sepse çdo skenar tjetër do ta rikthente Kosovën shumë mbrapa në procesin e dialogut dhe integrimet evropiane. Është e pritshme që gjatë dy ditëve të ardhshme të ketë një ‘pushtim politik’ nga ana e diplomatëve ndërkombëtarë, të cilët në masë të madhe do ta vizitojnë apo do të kontaktojnë më kryeministrin Kurti, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje. Por, dinamika e takimeve dhe e bisedimeve do të jetë e jashtëzakonshme dhe e paparë deri tani, sepse kriza në veri është në prag dhe potenciali për eskalim është maksimal”, tha Muhaxhiri.

Ndërkohë, analisti Blerim Burjani shpreson se do të ketë një zgjidhje të shpejtë për këtë çështje, derisa theksoi se tema e targave është një lojë politike e Serbisë, që nuk dëshiron progres, por bllokim të proceseve. Ai tha për Radio Kosovën se tani Kosova duhet të vë një kusht që të arrihet marrëveshja finale me Serbinë.

“Kjo lojë më targat duhet të ndalet nga Serbia dhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian duhet ta ndalin këtë politikë serbe, që luan me detaje teknike e bën politikë me to. Targat nuk janë problem, problemi është zgjidhja përfundimtare. Kosova duhet të këmbëngulë në kërkesën maksimale zgjidhjen përfundimtare të raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, përkatësisht përmes një dokumenti final që i zgjidh të gjitha problemet e tjera. Edhe SHBA dhe BE nuk duhet të merren më me targat, por drejtpërdrejt të shkojnë në finale të këtij dialogu”, tha Burjani.

Ai, mendon që çështja e targave nuk duhet të shtyhet pa kufij, por sipas tij, kjo mund të zgjidhet duke pezulluar gjobat për qytetarët serbë, pasi sipas tij, ato gjoba nuk do të paguhen asnjëherë./rtklive.com