AMKMK

AMKMK prezanton raportin për memorialet, kritikohet nga deputetët

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor ka shqyrtuar sot raportin e AMKMK-së, ku u tha se gjendja e tyre nuk është aspak e mirë. Ndërsa ky i fundit u vlerësua të jetë i mangët për shkak të mungesës së informacioneve financiare.

Drejtori i AMKMK, Bislim Zogaj, i cili prezantoi raportin para deputetëve të këtij komisioni, tha se si agjencion, kanë marrë përsipër që t’i kenë në mbikëqyrje memorialet. Ai bëri të ditur se aktualisht në kompetencë kanë 121 memoriale, teksa shtoi se janë duke u munduar të zgjerohen edhe më tutje.

“Brenda 3 javësh mund të sjellim raportin e auditorit dhe të gjitha informacionet që i kërkoni”, tha ai.

Sipas tij, kanë pasur problem edhe me një kompani, e cila nuk e ka kryer punën si duhet.

Kryetari i Komisionit, Muharrem Nitaj, tha se raporti i paraqitur nuk është i plotë për shkak se nuk përmban të dhëna financiare. Ai pyeti se sa kohë do t’i duhej AMKMK-së të dalë me një raport të kompletuar.

E këtu u pajtua edhe Zogaj, pasi që tha se raporti është i mangët, por mund të plotësohet me të dhëna shtesë.

Edhe Salih Salihu nga PSD kërkoi të ketë raporte të qarta financiare. Ndërsa edhe më konkrete ishte deputetja Besa Gaxherri, e cila kërkoi të bëhet auditimi i memorialëve, ndërsa shtoi se AMKMK duhet të shkëputet nga politika.

“Duke e parë këtë raport, edhe ashtu i mangët, nëse flasim deri më tani janë investuar më shumë se 10 milionë euro, e aty nuk kanë shkuar më shumë se 3-4 milionë euro. Unë mendoj se aty duhet të bëhet një auditim për shkak se nuk ka gjë më të keqe se të keqpërdoren mjetet e memorialeve. Neve si deputetë nuk na falet”, u shpreh Gaxherri.

Deputeti Andin Hoti, shtroi edhe çështjen e Shtëpisë Muze “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe.

Ndryshe, me këtë rast janë miratuar projektligjet për Mbrojtjen nga Zhurma dhe ai për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës.