Amerikanja e parë që bëri transplant të fytyrës dy herë brenda dekadës

Për herë të dytë brenda një dekade, një grua nga New Hampshire ka një fytyrë të re.

Carmen Blandin Tarleton, fytyra e së cilës ishte deformuar pas një sulmi nga ish-burri i saj, është amerikanja e parë dhe personi i dytë në botë që ka bërë transplant të fytyrës për të dytën herë. Pas gjashtë vjetësh, asaj i ka dështuar transplanti i parë për t’iu futur tash edhe një herë të njëjtës procedurë.

52-vjeçarja e cila ishte infermiere, pret t’i kthehet normalitetit, pas dështimit të transplantit të parë një vit më parë.

“Jam e lumtur”, i ka thënë ajo Associated Press, fytyra e së cilës ende nuk është shëruar pas operacionit, transmeton KOHA. 

“Dhimbja më është larguar”, ka shtuar ajo. “Ky është një kapitull i ri i jetës sime. Jam duke pritur për një vit. Jam me të vërtetë e lumtur. Është kjo gjëja për të cilën kisha nevojë”.

Më shumë se 40 pacientë në botë kanë pasur transplant të fytyrës, përfshirë 16 në SHBA. Asnjë nga pacientët amerikanë nuk ka dështuar pas transplantit të fytyrës nga një donator, përveç Tarleton.

Por në vitin 2018, një francez, imuniteti i të cilit refuzoi fytyrën e donatorit të tij tetë vjet pas transplantit, iu nënshtrua një operacioni të dytë.

Doktori i cili kreu transplantin e parë të Tarleton, Bohdan Pomahac, kishte hezituar për t’iu nënshtruar një operacioni të dytë të fytyrës së saj, megjithatë ekipi i tij arriti ta bindte.

Operacioni i cili zgjati 20 orë përbëhej nga një ekip i mjekëve të cilët e hoqën transplantin i cili kishte dështuar ndërsa u përgatitën për të dytin. Pas transplantit të fytyrës së re, Tarleton pritet të kthehet në jetën normale pas disa muajsh.

“Është e çuditshme. Nuk do të gënjej”, thotë ajo. “Më duhet të mësohem me të. Motra ime duhet të mësohet me të. Duhet ca kohë deri sa miqtë dhe familja të mësohen me pamjen time të re”.