Amerikanët përkrahin termocentralin ‘Kosova e Re’!?

Banka Botërore kurrë nuk ishte opcion për financimin e termocentralit të ri Kosova e Re, kështu ishte deklaruar shumë kohë më parë në një mbledhje të brendshme të kompanisë Contour Global, me të cilin Kosova ka nënshkruar marrëveshje për ndërtimin e Kosovës së Re.

‘Roli i saj në adaptimin e projektit ishte shumë i rëndësishëm gjatë fazës së zhvillimit e cila u konkludua me mbyllje komerciale, dhe tani është shumë i vogël’, thuhej shumë kohë më parë në raportin e prezantimit të rezultateve të kompanisë amerikane Contour Global.

‘Nuk ka humbje të financimit të Bankës Botërore, një përkrahje e tillë kurrë nuk ka ekzistuar’, kishte deklaruar Joseph Brandt, Kryeshef Ekzekutiv në Contour Global, gjatë prezantimit të rezultateve të kompanisë në të njejtën mbledhje.

Redaksia mëson se vendimi i Bankës Botërore për të mos përkrahur Kosovën e Re nuk do të ndikojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij projekti.

Contour Global do të sigurojë fonde amerikane përmes kredive të eksportit dhe Bankës për Zhvillim të SHBA’së për ndërtimin e Kosovës së Re, termocentralit që do të pavarësojë sektorin energjetik në vend, thuhet në mbledhje.

Për më shumë, në takimin e fundit ndërmjet Ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe Ambasadorit në largim të SHBA-së në Kosovë, Greg Delaëie, edhe njëherë u rikonfirmua përkrahja e Amerikanëve për ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e Re.

‘Jemi takuar sot për të biseduar lidhur me vendimet e rëndësishme që duhen të ndërmerren për të lëvizur projektin Kosova e Re përpara’, tha Ambasadori Delawie pas takimit.

Raporte të USAID tregojnë për humbje qindra milionëshe vjetore të bizneseve për shkak të mungesës së furnizimit të rregullt me energji elektrike.

“Furnizimi jo i rregullt i kushton ekonomisë së Kosovës rreth 415 milionë dollar në vit, ose afërsisht 6 për qind të GPD-së. Termocentrali 1.4 miliardësh do bëjë revolucion në ekonominë e Kosovës.’, kishte thënë Philip Kosnett, i emëruar ambasador i SHBA-ve në Kosovë, në fjalimin e tij që kishte në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë.

Projekti i Kosovës së Re është ndër projektet më të rëndësishme për të ardhmën e vendit, ndaj të cilit është përkushtuar edhe Republika e Kosovës. Projekti do të ndikojë në uljen e vlerave të ndotjes nga termocentralet e stër-vjetëruara të vendosura në Obiliq dhe do të sigurojë furnizim të rregullt me energji elektrike në vend.