Amerika njofton nesër “angazhim afatgjatë ushtarak” në Evropë

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë “njoftime specifike” në një takim të NATO-s nesër mbi “angazhimin e ri dhe afatgjatë ushtarak në tokë, në det dhe në ajër” në Evropë, tha sot një këshilltar i lartë i presidentit Joe Biden, transmeton Demokracia.com.

Jake Sullivan, këshilltari kryesor diplomatik dhe ushtarak i Biden, tha në një fluturim të Air Force One për në Madrid, ku po zhvillohet samiti i NATO-s, se “një numër vendesh të Aleancës” do të “premtojnë gjithashtu të rrisin kontributet e tyre të mbrojtjes në krahun lindor, duke përfshirë edhe Baltikun”.

Gjatë bisedimeve me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez sot, presidenti amerikan planifikon gjithashtu të njoftojë se SHBA do të rrisë numrin e destrojerëve në portin ushtarak jugor të “Rotas” nga katër në gjashtë.

“Në fund të samitit, do të ketë një sistem më të fortë, më efektiv dhe më të besueshëm që do të marrë parasysh kërcënimin më akut dhe serioz rus, jo vetëm për shkak të asaj që ka bërë në Ukrainë, por edhe për shkak të mënyrës se si Rusia ka ndryshoi qëndrimin e saj ndaj Bjellorusisë”, tha Sullivan.

Rusia planifikon të stacionojë raketat e saj Iskander, të cilat mund të mbajnë koka bërthamore, në Bjellorusi “në muajt e ardhshëm”, njoftuan të shtunën presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij bjellorus Alexander Lukashenko.

Për këtë çështje, Sullivan theksoi se ajo që ka rëndësi është “çfarë po ndodh në terren” dhe jo në bisedën mes dy liderëve.

“Sigurisht, nëse vendosja e ushtrisë ruse, duke përfshirë kapacitetet bërthamore, vazhdon, kjo është një shqetësim për të gjithë Aleancën,” shtoi ai. /Demokracia.com/