SHBA-të nuk besojnë se një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit është aktualisht “përgjigja e duhur”, thotë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
Zyrtari u pyet në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me qëndrimin e SHBA-ve për një armëpushim, pasi Amerika votoi kundër një rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që bën thirrje për pauza humanitare, të premten.
“Ne nuk besojmë se një armëpushim është përgjigja e duhur tani,” tha Kirby. “Ne besojmë se një armëpushim tani i sjell përfitim Hamasit dhe Hamasi është i vetmi që do të përfitonte nga kjo tani”.
Sulmet izraelite kanë vrarë ndërkohë më shumë se 8 mijë palestinezë që nga 7 tetori, pothuajse gjysma e tyre fëmijë, dhe numri i të vdekurve pritet të rritet me shpejtësi ndërsa Izraeli zgjeron operacionet e tij tokësore në Gaza.
Kirby tha se në vend të një armëpushimi, administrata amerikane po shtynte për “pauza të përkohshme, të lokalizuara humanitare për ndihmën dhe që njerëzit të largoheshin”.
Një mundësi armëpushimi e ka hedhur poshtë edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ai theksoi edhe një herë se qëllimi primar i Izraelit është pikërisht shkatërrimi tërësor i Hamasit.
Duke sjellë në paralelizëm edhe rastin e “Pearl Harbour” gjatë Luftës së Dytë Botërore, Netanyahu tregoi qëllimet e Izraelit në këtë konflikt.
“Ashtu si Shtetet e Bashkuara nuk do të binin dakord për një armëpushim pas bombardimit të Pearl Harbor ose pas sulmit terrorist të 11 shtatorit, Izraeli nuk do të pajtohet me një ndërprerje të armiqësive me Hamasin”, shpjegoi ai.
Më tej, ai ka justifikuar edhe gjithë vdekjet aksidentale të civilëve gjatë luftës, duke thënë se çdo luftime kanë të tilla dhe se nuk është duke i shkaktuar Izraeli ato, pasi shteti hebre thjesht po i përgjigjet Hamasit.
Bilanci në Gaza sa vjen e bëhet më tragjik, sa i takon numrit të personave të vrarë e të plagosur nga raketimet izraelite, teksa aksioni i shumëfishtë i shtetit hebre vijon të shtrihet në gjithë veriun e Rripit.
Kështu, sipas ministrisë palestineze të Shëndetësisë, numri i civilëve të vrarë në Gaza ka kapur shifrën e 8 mijë e 306 viktimave. Prej tyre, 3 mijë e 457 janë fëmijë dhe 2 mijë e 136 janë gra.
Teksa, Izraeli, pretendon se ka liruar falë operacioneve tokësore në veri të Gazës një ushtar të Forcave të Mbrojtjes.
Detaje nuk janë dhënë mbi këtë zhvillim, ku thjesht është konfirmuar se ushtari i mbajtur peng nga Hamasi, është liruar gjatë përleshjeve që ka pasur në Gaza.
Nga ana tjetër, në veprim të qartë ka qenë edhe Hamasi, ku sipas një zyrtari, militantët e grupimit terrorist kanë shkatërruar tre mjete ushtarake izraelite, ku përfshihen edhe tre tanke, vetëm në 24 orët e fundit.
Sërish detaje të mëtejshme mbi këtë gjë nuk janë dhënë nga autoritetet palestineze.
Sa për nga fronti i luftimeve, ato vijojnë të ashpra, me Forcat izraelite, të cilat po komandojnë nga toka, ajri dhe deti, operacione të koordinuara në bazat e Hamasit.
Luftimet janë të ndezura dhe të vështira, për shkak se grupimi militant i zhvillon ato duke vepruar në tunelet nëntokësore, me të cilat lidhen baza të tëra të Hamasit në gjithë Gazën.
Izraeli ka pranuar gjithsesi se nuk kemi ende të bëjmë fjalë me operacionin e madh tokësor që ata kanë lajmëruar më herët se do të ndërmarrin, por me një fazë të parë zgjerimi të ndërhyrjes nga toka.
Teksa, pritet ende vendimi për të pasur një inkursion të plotë dhe të vendosur në gjithë Gazën.
Frika më e madhe mbetet për civilët, të cilët janë të lënduar dhe në pamundësi për të lëvizur nga vendbanimet e tyre.







