Në Kongresin e 19-të të Konferencës Evropiane të Gjykatave Kushtetuese (KEGJK) të mbajtur në Kishinau të Moldavisë, më 22 maj 2024, kërkesa e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për t’u bërë anëtare është mbështetur nga të gjitha Gjykatat Kushtetuese që përfaqësojnë shtetet njohëse, por jo edhe nga ato që nuk e njohin Kosovën.

Drejtori i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Veton Dula, në një përgjigje për Albanian Post të mërkurën, njoftoi se Gjykatat Kushtetuese anëtare të KEGJK-së, janë pajtuar që të themelojnë një komitet të veçantë, i cili do të shqyrtojë aplikacionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësim me procedurë të përshpejtuar.

“Gjykatat Kushtetuese anëtare të KEGJK-së, janë pajtuar që të themelojnë një komitet të veçantë, i cili do të shqyrtojë aplikacionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësim me procedurë të përshpejtuar dhe para mbajtjes së Kongresit të 20-të që do të mbahet pas tri (3) vitesh, por në takimin e Qarkut të Kryetarëve që do të mbahet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”.