Ambasadori i Shqipërisë

Ambasadori Malaj: Hazir Malaj është gjaku im, kishte një dashuri të zjarrtë për Kosovën

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka thënë se Epopeja e UÇK-së është momenti më i rëndësishëm si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.

Ai këto deklarata i bëri gjatë homazheve me rastin e 26-vjetorit të rënies së Heroit të Kombit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit Dr. Hazir Malaj. Këtë të fundit, ambasadori Malaj deklaroi se e ka të familjes, për të cilin tha se ka pasë dashuri të zjarrtë për Kosovën.

“Epopeja e UÇK-së apo e të gjithë atyre që derdhen gjakun për Kosovën është një moment tepër i rëndësishëm, qoftë për Kosovën qoftë edhe për Shqipërinë. Sot këtu dua të them edhe diçka nga vetja ime. Unë kam marrë pjesë këto muaj në shumë akademi përkujtimore anë e kënd Kosovës, ku kam shprehur respektin tim, por dhe të Shqipërisë për këta njerëz që derdhen gjakun për ditët e sotme që jeton rinia e Kosovës”.

Ai tha se në këtë rast është pak më ndryshe meqë dëshmorin Hazir Malaj e ka pasë familjar.

“Por sot nga ana tjetër, jam këtu edhe për një moment timin sepse njëri prej dëshmorëve këtu, Hazir Malaj është njeriu im, është gjaku im, është i familjes sime. E kam njohur nga afër e kam ditur zemrën e tij të zjarrtë edhe dashurinë e jashtëzakonshme që ai kishte për Kosovën. Të gjithë duhet të përkulemi me respekt për para tyre pikërisht për atë mision të jashtëzakonshëm që ata e kanë kryer dhe që ne duhet t’i respektojmë sa jemi gjallë.

“Ne të gjithë duhet të respektojmë gjithçka që ata bënë për Kosovën”, tha Malaj./EO/