Ambasadori i SHBA akuzon Kinën: Ka vënë në rrezik gjithë botën

Ambasadori amerikan në Londër, Woody Johnson ka lëshuar akuza të ashpra ndaj Kinës duke thënë se vendi komunist ka vënë në rrezik mbarë botën pasi ka fshehur informacione mbi koronavirusin dhe ka lejuar përhapjen e tij përtej kufijve të vendit.

Në një artikull të publikuar ditën e enjte në gazetën “The Times”, ambasadori Woody Johnson deklaron se në fillim ata u përpoqën të fshihnin lajmin, më pas shtoi se Pekini përzgjodhi informacionet që donte të ndante me të tjerët, në kundërshtim me autoritetet ndërkombëtare të shëndetësisë.

Sipas ambasadorit: “Nëse Kina do të kishte bërë gjënë e duhur, në momentin e duhur, shumica e popullsisë së saj dhe në botë, do të mund të kishin shpëtuar nga pasojat serioze që ka sjellë kjo sëmundje”.

Presidenti amerikan Donald Trump pohoi disa javë më parë se Pekini duhet të kishte vepruar më shpejt lidhur me ndërgjegjësimin e botës nga përhapja e sëmundjes. Ai gjithashtu hodhi poshtë kritikat se etiketimi i kësaj sëmundje si “Virusi kinez” është raciste.

Mes dy vendeve po zhvillohet një luftë e ftohtë, e cila nisi që kur një zyrtar kinez tha se koronavirusi është sjellë në Kinë qëllimisht nga ushtria amerikane.

I njëjti person, Lijian Zhao, që punon në Ministrinë e Jashtme të Kinës, ka shpërndarë së fundmi edhe një mesazh online të një gruaje amerikane, e cila hedh dyshimet se virusi ka kohë që qarkullon në SHBA.

Nga ana tjetër, një senator republikan, Josh Hawley tha të martën se Kina duhet të paguajë për dëmet që i ka shkaktuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai akuzoi Kinën se ka gënjyer për çështjen e koronavirusit dhe kjo neglizhencë po kushton mijëra jetë njerëzish dhe miliarda dollarë dëme në ekonomi.

Në krye të kritikave ndaj Kinës është rrjeti Fox News. Analisti Gordon Chang tha së fundmi se nuk i besojnë shifrat që jep Kina për përmasat e sëmundjes atje.

“Në Kinë, viktima e parë është e vërteta,” tha ai.

Në këtë vazhdë, një padi në grup është depozituar në Florida, duke kërkuar që Kina të paguajë për atë se çfarë ka bërë me trajtimin e krizës së koronavirusit.

Një firmë avokatie në Florida ka ngritur padinë ndaj Kinës dhe një seri agjencish qeveritare kineze në emër të individëve dhe biznesmenëve në SHBA dhe Florida, të cilët janë prekur nga dëmet e shkaktuara si rezultat i pandemisë së koronavirusit.