Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, e ka quajtur historike vizitën e Kancelarit gjerman, Olaf Scholz në Kosovë, vizitë kjo e cila përkon me datën e përvjetorit të 23-të të çlirimit të Kosovës.
Ai ka përmendur faktin se kjo është vizita e parë e një kancelari gjerman që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës teksa ka shtuar se kjo dhe vizitat e tjera që Kosova ka pasur nuk janë thjesht simbolikë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Një vizitë historike e Kancelarit Olaf Scholz në këtë ditë historike për , e cila përkon me 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Për më tepër, kjo është vizita e parë e një Kancelari gjerman në Prishtinë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës. Vetëm brenda pak muajve, Republika jonë është destinacioni i parë i vizitave shtetërore gjermane në Ballkanin Perëndimor, pas vizitës së Ministres Annalena Baerbock dhe Christine Lambrecht. Kjo nuk është vetëm simbolikë 🤝.”, ka shkruar Ajeti në Facebook.
Ndryshe, Scholz më herët ka përfunduar vizitën në Kosovë ku u takua me kryeministrin Albin Kurti.
Ata mbajtën edhe një konferencë për media me ç’rast Scholz foli për “Ballkanin e Hapur” dhe liberalizimin e vizave për Kosovën.
Njëherit, Scholz potencoi se dialogu Kosovë-Serbi duhet medoemos të përfundojë me njohje të Kosovës nga Serbia pasi, sipas tij, dy shtete që nuk e njohin njëra tjetrën nuk mund të anëtarësohen në BE.
“Gëzohem që po vizitoj Kosovën si vendin e parë në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe liberalizimin e vizave si dhe për pozicionimin e Kosovës karshi luftës në Ukrainë. Me rëndësi për Kosovën është që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të shkojë përpara. Lajçak e ka mbështetjen tonë të plotë. Dialogu është vendi që i hapë Kosovës rrugën drejt perspektivës evropiane. Marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës sepse është e paimagjinueshme që dy vende që se njohin njëri tjetrin të jenë në BE.
Procesi i Berlinit është një shenjë që Gjermania me të gjitha mundësitë që ka do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’iu bashkangjitur BE-së në kohën e duhur. Ne e kemi bërë këtë prioritet. Por ne nuk mund të bëjmë asgjë për këtë, është e rëndësishme të punojnë edhe pjesëmarrësit në këtë proces”, u shpreh Scholz.







