Ambasadori i Italisë uron Albin Kurtin dhe Qeverinë e re

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, e ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e tjerë në Qeverinë e re.

Orlando përmes një postimi në Twitter ka thënë që do të punojnë me Qeverinë e re për të forcuar partneritetin.

“Urime kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti dhe qeverisë së tij. Unë i uroj atyre sukses dhe shpresoj të punojnë së bashku për të forcuar partneritetin midis vendeve tona edhe më shumë”, ka shkruar Orlando në Twitter.

Me 67 vota pro e 30 vota kundër, Kuvendi I Kosovës ka votuar Qeverinë e re të Kosovës e cila do të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Kabineti “Kurti 2” është votuar në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur sot menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së tetë të Kosovës.

E pas votimit të Qeverisë së re, kabineti qeveritar është betuar para deputetëve e qytetarëve të Kosovës.