Ambasadori Heldt tregon pse Gjermania dhe Franca nuk përkrahën rrëzimin e qeverisë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, në DESK të KTV-së ka thënë se të kesh një krizë institucionale në kohë pandemie “nuk është e dobishme”.

Ai e ka thënë këtë gjë teksa iu është përgjigjur pyetjeve rreth demarshit të Gjermanisë dhe Francës, dërguar LDK-së, pak para se të votohej mocioni i mosbesimit, që e rrëzoi Qeverinë.

“Pikërisht këto ishin arsyet pse ne i shprehëm shqetësimet tona, të kesh një krizë institucionale në këtë kohë mendoj nuk është e dobishme dhe nuk është gjithçka në të cilën të gjithë akterët, akterët politikë do të duhej të përqendroheshin tani”, ka thënë ai.

Ajo energji, sipas Parisit dhe Berlinit, duhet t’u kushtohet krejtësisht luftës kundër pandemisë dhe perspektivave ekonomike dhe shoqërore.

Megjithatë, ai ka thënë se përfaqësuesve diplomatikë tani iu mbetet “vetëm të ndjekin zhvillimet”.

Heldti në DESKU ka folur edhe për mënyrën e menaxhimit në Gjermani, të krizës pandemike.

“Kam përshtypjen se me kancelaren Merkel, që është një person analitik, deri tani ne në Gjermani e kemi menaxhuar mirë, sepse ka pasur një shkallë të lartë të përgjegjësisë dhe njerëzit thjesht qëndruan tok, sepse menjëherë u vetëdijesuam se pandemia e virusit korona është diçka që nuk kishim parë në historinë e fundit”, ka thënë ai.

Sipas tij, në rrafshin global, “ende ka shumë njerëz që nuk e kuptojnë dimensionin e pasojave me të cilat ne do të përballemi të gjithë. Të gjithë anembanë botës”.