Ambasadori gjerman: Rezultati final në dialog duhet të jetë njohja reciproke

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se rezultati final në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke.

Në një intervistë për Tëvë1, Rohde thotë se kjo duhet të bëhet për shkak se dy shtete nuk mund të pranohen në Bashkimin Evropian pa e njohur njëra-tjetrën.

“Këtu dua ta citoj Kancelarin tim, i cili thotë se rezultati final mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke, sepse është e paimagjinueshme që mund të pranohen në BE shtete që nuk e kanë njohur njëra-tjetrën. Ne e shohim Kosovën si një shtet të pavarur e sovran, pra pa njohje reciproke në fund nuk ka rrugë të qartë për në Evropë”, tha ai.

Rohde thotë se nuk ka një format të ri të dialogut dhe se këshilltarët e presidentit francez dhe të kancelarit gjerman ishin për vizitë për të dhënë mesazhin e qartë se “palët duhet të jenë të gatshme për vendime të vështira”.

“Unë nuk di për një format të ri të dialogut. Këshilltarët e Macron dhe Scholz ishin në Prishtinë dhe në Beograd, në shoqërim të Përfaqësuesit Special Lajcak për të dhënë mesazhe të qarta që palët të jenë të gatshme për vendime të vështira dhe t’i afrohen marrëveshjes finale. Ky është mesazhi i tyre. Gjermania po investon shumë për t’ju afruar me Evropën, por edhe ju duhet të kryeni pjesën tuaj të punës”, shtoi ai.

Po ashtu, ambasadori vlerëson se Bashkimi Evropian e ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces.

“Shtetet e Bashkuara janë mbështetëse në këtë proces. Gjatë vizitës së Kryeministrit Kurti në Bruksel, aty ishte edhe Sekretari i Shtetit, Eskobar. Jemi në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. BE po e udhëheq këtë proces dhe SHBA-të janë duke e mbështetur. Nuk ka asgjë për të shtuar më tepër, ne e udhëheqim këtë proces, dhe e kemi mbështetjen e SHBA-së”, shtoi ai.