Ambasadori gjerman paralajmëron konferencë më 3 nëntor për Procesin e Berlinit

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka paralajmëruar se më 3 nëntor do të mbahet një konferencë lidhur me Procesin e Berlinit.

Përmes një postimi në Facebook, Rohde ka thënë se kjo konferencë e cila do të mbahet në Berlin, do të jetë mundësi për përparim.

Gjithashtu, ambasadori ka deklaruar se Gjermania e dëshiron Kosovën e Ballkanin në Bashkimin Evropian, por ka shtuar se pret që Kosova dhe Serbia të kontribuojnë në proces në mënyrë konstruktive.

“Konferenca e 3 nëntorit në Berlin si pjesë e Procesit të Berlinit do të jetë një mundësi për përparim që nuk duhet ta humbasim. Gjermania e dëshiron Kosovën e Ballkanin Perëndimor në BE dhe llogaritë në Kosovën dhe Serbinë që të kontribuojnë në proces në mënyrë konstruktive”, ka shkruar Rohde.

Edhe në fund të korrikut, ambasadori gjerman pati deklaruar se agjenda e Procesit të Berlinit në vjeshtë do të jetë tregu rajonal dhe njohja e diplomave. Kjo sipas tij do të jetë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Prandaj, ne duhet të kanalizojmë të gjithë energjinë tonë që procesi i parë të funksionojë. Kjo është e ngjashme me dështimin e Organizatës Botërore të Tregtisë që të vendosë një regjim botëror prandaj që 50 vjet, marrëveshje tregtare dalin gjatë gjithë kohës, prandaj në politikë, shpeshherë opsionet e dyta mbesin opsioni i vetëm që mund t’i qasemi”, pati thënë ai.

“Dy çështje, së pari në vjeshtë do të mbahet konference e udhëheqësve të cilën do ta ftojë Kancelari. Kur të ftohen udhëheqësit e regjionit natyrisht që priten edhe rezultate, prandaj edhe ekzistojnë diplomatët që punojnë në prapavijë me shpresë që të garantojnë se të gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarët e Procesit të Berlinit nuk do të ulen në atë tavolinë duke e ditur që nuk do dalë asgjë nga ai takim”.