Jorn Rohde

Ambasadori gjerman habitet me ambasadorin Hill: Si mundet të jetë Serbia më afër NATO-s se Kosova

Deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, se Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova, ka nxitur reagime të mëdha në opinionin publik.

E i habitur me komentet e diplomatit amerikan u shpreh diplomati gjerman, Jorn Rohde.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, për këtë çështje tha se është një diskutim fantazmë, për shkak se Serbia nuk është e interesuar të bëhet pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë.

“Unë jam me të vërtetë i habitur me ato komente. Si mundet të jetë Serbia më afër NATO-s se Kosova, kur ata kanë deklaruar publikisht se janë kundër anëtarësimit në NATO. Pra është një diskutim fantazmë, sepse Serbia nuk dëshiron të hyj në NATO”, pohoi ai.

Jorn Rohde, tregoi se Gjermania ka dëshirë ta shohë Kosovën të anëtarësuar në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, por që sipas tij problem po paraqesin 5 vendet mosnjohëse të bllokut evropian.

“Ne dëshirojmë ta shohim Kosovën të anëtarësuar në Bashkimin Evropian, NATO dhe në Këshillin e Evropës. Por problemi qëndron se kemi 5 vende brenda bllokut evropian që akoma nuk e njohin Kosovën si dhe 4 shtete mos njohëse nga NATO. Pra Kosova duhet të bëjë më shumë për t’i bindur ato shtete skeptike. Pra, ja një shembull, u deshën plot 7 vjet që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Gjatë kësaj periudhe u ndryshuan disa qeveri, dhe ky vendim u mor vetëm atëherë kur Këshilli i Evropës e bëri të qartë se nuk mund të lëvizesh përpara pa e zbatuar këtë vendim”, thotë ai.

Diplomati gjerman foli edhe për çështjen e dinarit, ku tha se qeveria e Kosovës me veprimet ndërmarra i ka dhënë material Serbisë për kritika.

“E kemi thënë edhe më herët, ne vendimin për dinarin e shohim si veprim legal nga qeveria por nuk është dhënë kohë e mjaftueshme, pra duhet të ketë një periudhë tranzicioni. Me këto veprime ju vetëm po i jepni material Serbisë për kritika. Për këtë çështje duhet një zgjidhje dhe prandaj është duke u diskutuar”

Për çështjen e dinarit, ndërmjetësi i dialogut Miroslav Lajçak ka njoftuar se do të diskutohet sërish në Bruksel.

VIDEO BONUS: