Ambasadori gjerman dhe shefja e zyres së BE-së godasin Devollët për homologim

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, ka goditur direkt biznesmenët e familjes Devolli, të cilët kanë monopolizuar tregun e homologimit të veturave, ndërsa thotë se nuk e kupton logjiken pse pa asnjë nevojë veturat që vinë të reja nga Evropa duhet të kontrollohen edhe njëherë nga një ‘monopol lokal’. Gazeta Express ka raportuar në vazhdimësi për privilegjin dhe përfitimin e bizneseve të vëllezërve Devolli.

Kompania e Shkëlqim Devollit asnjëherë nuk ka pasur konkurrent në Kosovë në tregun e homologimit të veturave, dhe qeveria asnjëherë nuk ia ka ndalur fitimin enorm kësaj kompanie.

Ambasadori gjerman ka thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollat e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE’në??”, ka shkruar Heldt në Twitter, transmeton Ballkani.info.

Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një kontrolli rutinor i quajtur “homologim”. Ky lloj kontrolli bëhet vetëm për t’i inkasuar 125 euro

Pra, secili qytetarë apo kompani që blenë vetura, detyrohet t’i nënshtrohet homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), e cila është pronë e Shkëlqim Devollit nga Peja.

Në anën tjetër, pas një shkrese me shqetësime drejtuar Kuvendit të Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, sot pasdite në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, përreth tri orë është diskutuar lidhur me monopolin në fushën e homologimit të veturave, si dhe për barrierat jo tarifore për importin e veturave të reja që kanë origjinën nga BE-ja.

Për këtë ishte e ftuar shefja e zyrës së BE-së, ambasadorja Nataliya Apostolova, e cila tha se në Kosovë homologimi i veturave është një brengë e ngritur nga ana e BE-së, ngaqë në këtë fushë është krijuar një monopol në Kosovë.

“Kam ardhur të bisedoj me ju, sepse ju keni fuqinë, ju e përfaqësoni popullin e Kosovës, ju jeni ata që e mbikëqyreni punën e kësaj Qeverie, ngriteni zërin, na përkrahni neve. Sepse nëse nuk bëni zgjidhje dhe ikë muaji korrik 2019, do të keni edhe 10 vjet monopol të njëjtë. Besoj se njerëzit e Kosovës nuk e meritojnë këtë. Mos e përdorni këtë sa për të bërë një lojë se kush është fajtori, dhe kush e ka barë këtë para dhjetë vjetësh. Momenti ka ardhur që ju të gjithë së bashku, siç jeni ulur këtu para meje, t’i bashkoni forcat që të na ndihmoi neve t’i bëjmë presion qeverisë që të marrë përgjegjësi për këtë çështje. Jam e bindur se është e mundur për ta bërë përmes procedurave ligjore, apo me thirrje direkte të ministrisë përkatëse”, tha Apostolova. /Ballkani.info