Jonathan Hargreaves

Ambasadori britanik përgëzon Kosovën për hapjen e Qendrës për Siguri Kibernetike

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin, morën pjesë në inaugurimin e Qendrës Shtetërore të Trajnimit të Sigurisë Kibernetike.

Ky event shënon një hap të madh përpara në përpjekjet e Kosovës për të rritur sigurinë kibernetike dhe të përgatitur vendin për sfidat e shekullit 21.

Ambasador Hargreaves falënderoi dhe përgëzoi ministrin Maqedonci për këtë iniciativë, të cilën e vlerësoi si një zhvillim të rëndësishëm në ngritjen e nivelit të sigurisë kombëtare të Kosovës në hapësirën kibernetike.

“Në emër të Mbretërisë së Bashkuar, dua të shpreh krenarinë për mbështetjen që jemi në gjendje të ofrojmë në zhvillimin e kurrikulës së Trajnimit për këtë Qendër. Mezi pres të vazhdoj bashkëpunimin dhe të ndihmoj në forcimin e sigurisë së Kosovës kibernetike, si në vend, ashtu edhe në rajon,” deklaroi Ambasadori Hargreaves.

Kryeministri Kurti nënvizoi se inaugurimi i Qendrës Trajnuese është një dëshmi e angazhimit dhe përkushtimit të shtetit të Kosovës për të arritur sukses në fushën e sigurisë kibernetike.

Ai e përshkroi hapjen e Qendrës si “një arritje dhe mundësi domethënëse”, që shënon një moment të rëndësishëm në rrugën e Kosovës drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe të avancuar në aspektin teknologjik.

Ky zhvillim vjen si pjesë e një sërë përpjekjesh që po ndërmerren nga Qeveria e Kosovës për të fortifikuar infrastrukturën dhe kapacitetet e saj në fushën e sigurisë kibernetike, një fushë që po merr gjithnjë e më shumë prioritet në skenën botërore për shkak të rritjes së kërcënimeve kibernetike ndaj sigurisë kombëtare.

Postimi i plotë: