Ambasadori amerikan shpërndan postimin e Kryeministrit Kurti për Ukrainën: ShBA-ja dhe Kosova qëndrojnë të bashkuara

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka shpërndarë në llogarinë e tij në Twitter postimin e Kryeministrit Albin Kurti, në të cilin shefi i Qeverisë së Kosovës shprehu përkrahje për Ukrainën dhe publikoi fotografi të flamurit të Ukrainës në ndërtesën e Qeverisë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Kosova qëndrojnë të bashkuara me Ukrainën”, shkroi ambasadori amerikan.

Në postimin e Kryeministrit Kurti, që u shpërnda nga ambasadori amerikan, thuhet: “Pavarësisht se sa të errëta janë kohët dhe sa e vështirë përpjekja, historia e favorizon të drejtin. Në këtë kohë kritike për popullin ukrainas, ne e ndriçuam ndërtesën e qeverisë për ta shfaqur solidarizimin e popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës.”

Tensionet në Ukrainë janë të larta. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur pranë homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba, në Uashington, paralajmëroi se kriza e tanishme është “kërcënimi më i madh për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore”.

Australia, Kanadaja dhe Japonia iu bashkuan Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian për t’i vënë sanksione Rusisë, pasi Gjermania mori vendim për ndërprerjen e procesit të miratimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”.