Ambasadori amerikan Scot i kërkon Serbisë zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi

Zbardhja e vrasjes së vëllezërve Bytyqi në vitin 1999 është një nga kushtet për përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë.

Kështu ka thënë ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scot, për ‘Danas’, transmeton Gazeta Express.

“Vrasja e tre qytetarëve amerikan duhet të zgjidhet në mënyrë adekuate. Drejtësia për Yllin, Agronin dhe Mehmet Byqytin është një prioritet në marrëdhëniet tona dypalëshe me Serbinë”, ka thënë Scot.

Ai ka treguar se ka diskutuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për disa tema të ndryshme, por ka thënë se në respekt të asaj bisede dhe bashkëbiseduesit nuk mund të tregoj për detajet.

Vëllezërit shqiptar me nënshtetësi amerikane janë vrarë nga pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë me 9 korrik të vitit 1999.

Ata ishin arrestuar derisa po kalonin kufirin dhe po ndihmonin një familje rome për të kaluar në Serbi.

Trupat e tyre ishin gjetur në pranverën e vitit 2001 në një varr masiv në ‘Petrov Selo’.