Në kuadër të Zyrës Kombëtare të Auditimit në Kosovë është themeluar Njësiti për Luftimin e Mashtrimeve, me anë të ndihmës të dhënë nga USAID-i. Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett është shprehur se me anë të kësaj njësiti po dërgohet porosia se do të luftohet dhe do të vihet në dukje çdo mashtrim dhe korrupsion që ndodhë në Institucionet e Kosovës.

Duke përmendur rezultatet e këtij njësiti, diplomati amerikan tha se deri më tani ky njësit ka zbuluar 38 raste të mundshme të mashtrimit, dhe kjo, sipas tij, është një fillim premtues që i dëshmon qytetarëve se institucionet nuk kanë asgjë për të fshehur.

Ambasadori, Philip Kosnett, kishte kritika rreth mos realizimit të rekomandimeve të Zyrës së Auditorit, ngase vetëm një e treta e rekomandimeve të tyre janë realizuar gjatë vitit të fundit. Problemin për këtë, ai e konsideron tek Kushtetuta e Kosovës, që nuk jep hapësirë për t’i ndëshkuar institucionet që i shpërfillin rekomandimet.

Kosnett fajtor e la dhe Kuvendin e Kosovës, që siç deklaroi, po shpërfillë Zyrën e Auditimit.

Diplomati Amerikan, mes tjerash, tha se qytetarët e Kosovës duhet të kenë udhëheqës në institucione që përfaqësojnë plotësisht transparencën dhe llogaridhënien. Ndërsa, i bëri thirrje edhe policisë dhe Zyrës së Prokurorit që të kenë bashkëpunim më të madh për të ndihmuar Zyrën e Auditimit.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani tha se kjo është një njësi e veçantë që ka për detyrë të ndihmojë auditorin, që të ketë një urë lidhëse me sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, me ndihmën e USAID-i kanë trajnuar rreth 60 auditor për të pasur më të lehtë në aktivitete kundër mashtrimit.Osmani, duke përmendur raportin e auditimit për vitin 2018, tha se në fund të qershorit pritët të dalin gjithsej 135 raporte.Ndryshe, përmes Komunave Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse, USAID-i është duke i mbështetur dhe ndihmuar Organizatat e Shoqërisë Civile në përcjelljen e shpenzimit të parasë publike nga qeveritë lokale dhe ajo qendrore./E.Zeqiri.