Ambasadori Abbot: Jam krenar që ushtarët britanikë mbështesin paqen në Kosovë

Më 12 qershor të vitit 1999, pas 78 ditë bombardimesh të Aleancës Ushtarake Perëndimore të udhëhequr nga Amerika kundër caqeve ushtarake serbo-malazeze në Kosovë në Serbi dhe Mal të Zi, trupat e NATO’s hynë në Kosovë në misionin paqeruajtës që do të quhej KFOR, duke i dhënë fund luftës gati dyvjeçare midis popullsisë kryengritëse shqiptare të organizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese ushtarake dhe policore serbo-malazeze.

E sot në 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott ka thënë se është krenar që ushtarët Britanikë vazhdojnë të mbështesin paqen në Kosovë dhe rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Abbot ka thënë se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova mbesin miq dhe partnerë të ngushtë,

“Sot, në 21 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë në vitin 1999, pata nderin e madh që së bashku me nënkolonelin Martin Browning të vendosim lule në memorialin për ushtarët e NATO-s të rënë në Kosovë në vitin 1999. Martini ishte mes trupave të para Britanike që hynë në Kosovë 21 vjet më parë, kështu që ky ishte një moment i veçantë për të, që i rizgjoi kujtime të atyre ditëve vendimtare. 21 vjet më vonë, Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova mbeten miq dhe partnerë të ngushtë. Jam krenar që ushtarët Britanikë vazhdojnë të mbështesin paqen në Kosovë dhe rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si edhe për rolin që Martin luan sot si këshilltar i Komandantit të FSK-së”, tha Abott.

Kujtojmë se ushtarët e parë të NATO-s që hynë në Kosovë më 12 qershor ishin forcat speciale të Norvegjisë dhe ato të Shërbimit Special Ajror Britanik, duke u gjetur ballë për ballë me trupat e Rusisë të cilët një ditë më parë ‘befasisht’ kishin marrë Aeroportin e Prishtinës me qëllimin e ndarjes së Kosovës