Rregullorja

Ambasadorëve iu rriten rrogat: Blerim Reka paguhet 6 mijë e 600 euro në muaj

Me Rregulloren e miratuar vitin e kaluar për caktimin e koeficientëve, diplomatëve kosovarë u janë rritur të hyrat mujore. Ato shkojnë deri në rreth 7 mijë euro në muaj përfshirë shtesat për fëmijë. Nga lista e pagave të shefave të misioneve dhe konsujve të përgjithshëm që Ministria e Jashtme e ka vënë në dizpocicion, konsull i i përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka, paguhet 6 mijë e 609 euro.

Në një kronikë televizive të KTV-së, sonte është folur për rritjen e pagave të ambasadorëve, në bazë të Rregullores për Kompensimin e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm, të hyra realizohen edhe në emër të shtesave të fëmijëve.

Diplomati kompensohet për shpenzimet e fëmijëve nën moshën 18-vjeçare.

Për fëmijën e parë llogaritet shtesa prej dhjetë për qind e pagës mujore; për fëmijën e dytë – tetë për qind; për fëmijën e tretë – gjashtë për qind; kurse për katër e më tepër fëmijë llogaritet shtesa prej pesë për qind e pagës mujore.

“5. Diplomati kompensohet për shpenzimet e fëmijëve të saj/tij nën moshën tetëmbëdhjetëvjeçare (18), të cilët banojnë bashkë me diplomatin në shtetin pritës: 5.1. për fëmijën e parë llogaritet shtesa prej dhjetë për qind (10%) e pagës mujore; 5.2. për fëmijën e dytë llogaritet shtesa prej tetë për qind (8%) e pagës mujore; 5.3. për fëmijën e tretë llogaritet shtesa prej gjashtë për qind (6%) e pagës mujore; 5.4. për katër e më tepër fëmijë llogaritet shtesa prej pesë për qind (5%) e pagës mujore për secilin”, thuhet në nenin 4 të Rregullores.

Por jo të gjithë fëmijët e diplomatëve marrin shtesa të njëjta, pasi kjo ndërlidhet me koeficientet e pagave.

Sipas Ligjit për Paga në sektorin publik, koeficienti për pozitën e ambasadorit është 12.8, që i bie se paga e tij është 1 mijë e 344 euro. Por, kjo pagë shumëfishohet kur hyjnë edhe përqindjet e tjera.

Mbështetur në listën e pagave të shefave të misioneve dhe konsujve të përgjithshëm, të cilën e ka vënë në dispozicion MPJ-ja pas kërkesës për qasje në dokumente zyrtare, më i paguari del të jetë konsulli i përgjithshëm në Nju-Jork, Blerim Reka. Paga e tij mujore është 6 mijë e 609 euro bruto.

Pas tij më i paguari është ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, me pagë mujore prej 5 mijë e 798 eurosh. Paga mbi pesë mijë euro marrin edhe ambasadorët e akredituar në Paris, Bernë, Kambera dhe Otavë. Sipas listës së pagave, konsulli i përgjithshëm në Strugë, Agim Krasniqi, del të jetë me pagën me të ulët – 1 mijë e 328 euro.

Fëmijët e diplomatëve me grada më të ulëta i bie të marrin më pak shtesa.

Ministri në misionin diplomatik e ka koeficientin 10.4, ndërsa paga e tij është 1 mijë e 92 euro. Kurse ministri këshilltar me koeficient 9.8 i bie të marrë pagë prej 1 mijë e 29 eurosh.

Zyrtarë të MPJ-së që kanë qenë të përfshirë në diskutimet për rregulloren, në kushte anonimiteti kanë thënë se përcaktimi i shtesave të fëmijëve në bazë të koeficienteve të diplomatëve përbën diskriminim.

Kjo rregullore ishte përpiluar prej komisionit të caktuar nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Në krye të këtij misioni ishte Vigan Berisha, që tani shërben si shef i misionit në Cyrih. Sipas indeksit të përqindjeve të propozuara, Cyrihu është pas Neë Jorkut, me 4.20 për qind. Të hyrat mujore të Berishës janë 3 mijë e 755 euro.

Berisha por as MPJD-ja nuk kanë ofruar sqarime se cilat rrethana janë marrë për bazë kur janë vendosur përqindjet e të hyrave.